Gjykata Komerciale e Republikës së Kosovës, më datë 25 dhe 26 gusht 2022, ka vendosur për gjashtëdhjetë (60) lëndë në Dhomat e Shkallës së Parë dhe Dhomat e Shkallës së Dytë.
Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale kanë marr vendime në tridhjetë (30) çështje, po ashtu edhe Dhomat e Shkallës së Dytë të kësaj gjykate, kanë vendosur në tridhjetë (30) lëndë, që kanë të bëjnë kryesisht me çështje përmbarimore të natyrës urgjente.
Përmes kësaj komunikate njoftohet publiku se seanca e parë e caktuar në Dhomat e Shkallës së Parë – Departamenti për Çështje Administrative të Gjykatës Komerciale, mbahet më 9 shtator 2022 me fillim nga ora 09:30 në zyrën nr. 411 të kësaj gjykate.
Të gjitha seancat gjyqësore në Gjykatën Komerciale janë të hapura për publikun, përveç rasteve, në të cilat me ligj përcaktohet ndryshe.
Gjykata Komerciale deri më tani ka pranuar mbi tetëmijë lëndë (8.000), përkatësisht në Dhomat e Shkallës së Parë janë pranuar gjashtëmijë e shtatëqind e pesëdhjetekatër (6.754) lëndë ndërsa në Dhomat e Shkallës së Dytë njëmijë e treqind e katërdhjetedy (1.342) lëndë. Të gjitha lëndët janë regjistruar në regjistrat manual të gjykatës, ndërsa janë në proces të regjistrimit edhe në Sistemin për Menaxhimin Elektronik të Lëndëve – SMIL.
Gjykata Komerciale do t’i ketë dy shkallë
Sipas projektligjit për Gjykatën Komerciale, çdo person ka të drejtë t’i drejtohet kësaj Gjykate për të kërkuar mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të tij/saj ligjore, për aq sa veprimet për të mbrojtur ose zbatuar ato të drejta, janë brenda kompetencave të Gjykatës Komerciale.
Kjo Gjykatë do të funksionojë si gjykatë e specializuar, e ndarë në dy shkallë (Themelore dhe të Apelit), kompetente për gjykimin e kontesteve për çështjet komerciale dhe administrative në çështje komerciale, si dhe do të trajtojë kundërshtimet dhe ankesat në procedurat përmbarimore.
Zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët kanë sponsoruar këtë projektligj, kanë thënë se “besojnë se Gjykata Komerciale, në cilësi të gjykatës së specializuar, do ta rrisë efikasitetin dhe efektivitetin në shqyrtim dhe vendosjen e kontesteve, ku palë në procedurë janë bizneset.”
Vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme për të gjithë personat fizikë dhe juridikë. Gjykata publikon të gjitha aktgjykimet në faqen e saj zyrtare të internetit, në afat prej 60 ditësh nga data e nxjerrjes së aktgjykimit, në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Kryeministri për Gjykatën Komerciale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurt me rastin e inicimit për themelimin e gjykatës, ka përshëndetur miratimin në Kuvend të Projektligjit për Gjykatën Komerciale, duke thënë se kjo gjykatë krijon mundësi të mjaftueshme për rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e kontesteve tregtare.
Kurti ka thënë se ligjet dhe gjykatat do të kenë ndikim ekonomik tejet pozitiv për Kosovën.