Policia e Kosovës ka njoftuar se pas zhvillimi të hetimeve ku janë përdorë edhe masa e teknika të fshehta, ka arritur ta identifikoj të dyshuarin, i cili për 25 herë ka bërë lajmërime apo kallëzime të rreme.
Sipas njoftimit, prej datës 8 janar 2022 deri me 14 gusht 2022 përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” pranë Stacionit Policor në Rahovec janë paraqitur njëzetepesë (25) lajmërime të rreme për aktivitetet të ndryshme kundërligjore në një kafiteri në fshatin Hoçë e Vogël Komuna Rahovec.
E për këtë rast, Sektori i Hetimeve në Stacionin Policor në Rahovec në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, për një kohë ka zhvilluar hetime për zbulimin e kryesit të kësaj vepre duke përdorur teknika të ndryshme të hetimit dhe duke aplikuar masa të fshehta.
“Me datë 15 gusht 2022 është arritur të identifikohet dhe arrestohet një person i dyshuar (mashkull/shqiptar/kosovar, i moshës 14 vjeçare), i cili në prani të avokatit mbrojtës dhe punëtorit të Qendrës për Punë Sociale është intervistuar dhe në tërësi ka pranuar se ka bërë lajmërime të rreme”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se si provë materiale është sekuestruar një telefon mobil, i cili është përdorur për të gënjyer – paraqitjen e këtyre veprave.
I dyshuari pas intervistimit është liruar, ndërsa ndaj tij është iniciuar rast “Lajmërim apo kallëzim i rremë”.
Në këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë-Gjakovë, fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë. Kur kanë informacion për shkelje të ligjit, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 (pa pagesë) dhe 0390310482
Policia e Kosovës thekson se të dhënat do të ruhen në konfidencialitet të plotë./KosovaNews/


