Në sallën operative të Klinikës Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, para disa ditësh është kryer me sukses të plotë edhe një operacion shumë i rrallë dhe i ndjeshëm.
Kështu thuhet në një njoftim që ka lëshuar Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), ku jepen edhe disa detaje për këtë rast të rëndë.
Në njoftim thuhet se më momentin e pranimit në Klinikë Emergjente, pacienti A.R, 1987, e kishte pothuajse komplet të prerë krahun e djathtë, (amputim subtotal), pas një aksidenti që kishte pasur me xham në shtëpi.
“Mjekët kirurgë, me punë ekipore, (ekipa e Kirurgjisë Vaskulare që e udhëhoqi operimin, e Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive dhe ekipa e Neurokirurgjisë), bashkë me Anesteziologë dhe pjesën tjetër të ekipit operativ, kanë kryer operimin te një pacient i moshës 36 vjeç, duke i realizuar dy bypasse (urëzime), në pjesën e mesme të arteries brahiale dhe venës basilica të djathtë, (arterie kryesore që ushqen dorën me gjak dhe vena sipërfaqsore, e cila e kthen gjakun në zemër).
Si graft për rekostrukcion të enëve të lënduara, ekipa përdori venën sipërfaqësore të këmbës së djathtë; (Vena saphena magna). Po ashtu ekipa operative, kishte përkujdesur dy venat brahiale dhe kishte bërë hemostazë korrekte. Ekipa e Neurokirurgjisë e bëri qepjen e nervit të dorës, ndërsa ekipa e Kirurgjisë Plastike, bëri qepjen e muskujve dhe të tendinave”, thuhet nga ShSKUK.
Tutje bëhet e ditur se pas operacionit janë kryer ekzaminimet kontrolluese, ku është konstatuar se intervenimi kirurgjik ishte kryer me sukses të plotë dhe pacienti pas 6 ditë hospitalizimi në Kirurgji Vaskulare, është liruar në shtëpi në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

