Në prag të nisjes së zgjedhjeve të 11 majit, një incident është regjistruar në fshatin Pilafe, afër qendrës së Peshkopisë.
Sipas informacioneve, dy automjete me eksponentë të Partisë Socialiste dyshohet se po shpërndanin para në këmbim të votës.
Kjo është vënë re nga disa persona nga Partia Demokratike të cilët kanë bërë edhe denoncimin. Kampi i djathtë ka pretenduar se ka pasur edhe të shtëna me armë dhe një person të plagosur, por kjo ende nuk është konfirmuar nga policia.
Dy automjetet janë braktisur në anë të rrugës të cilat janë kontrolluar nga policia. Megjithatë gjatë kontrolleve nuk ka gjetur armë.
Dy persona janë shpallur në kërkim nga policia në lidhje me këtë ngjarje.
Partia Demokratike në Dibër pretendon se ka filmuar babain e kandidatit të Partisë Socialiste, Daniel Gjura, në një akt të dyshuar të blerjes së votave. Sipas PD-së, gjatë momentit të incidentit është krijuar një situatë tensioni, pas së cilës babai i kandidatit është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes. Gjatë largimit, sipas PD-së ai dyshohet se ka qëlluar me armë në ajër./Euronews Albania