Sot bëhen dy vite nga ardhja e Albin Kurtit në krye të Qeverisë së Kosovës.
Si sot dy vite më parë, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës zgjodhi qeverinë e re, të udhëhequr nga Kurti.
Votimi i qeverisë Kurti II, i dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit, u bë disa orë pas konstituimit të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, ku me 69 vota kryetar u zgjodh Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin fitoi 50.28 për qind të votave ose 58 ulëse të Kuvendit.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mori 19 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 8.
Nga komunitetet pakicë, Lista Serbe i kishte fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i pati fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.