Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka konsideruar se nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore në tenderin e tiketave ngjitëse, pas raportimeve se po hetohet nga Task-Forca e Policisë për këtë çështje.
“Betimi për Drejtësi” ka raportuar të shtunën se së paku pesë ministra të Qeverisë Kurti po hetohen nga Task-Forca anti-korrupsion. Në mesin e tyre ishte zëvendësministri Durmishi.
Durmishi i ka sfiduar autoritetet duke thënë se mund t’i nisin hetimet që nga dita e parë kur ia ka nisur punës.
“Mbrëmë është publikuar një lajm që po hetohem për rastin e tiketave ngjitëse Le të hetojnë çfarë të duan jo vetëm për këtë rast por për çdo gjë që nga dita e parë kur kam filluar punën. Ka kaluar një vit e katër muaj prej kur kemi filluar me aplikimin e tiketave ngjitëse me zero kosto për qytetarët. Si rezultat i saj dhe masave tjera sot automjetet e paregjistruara në Kosovë kanë rënë nën pragun prej 5%. Ky ka qenë kriteri kryesor për kartonin e gjelbërt. Tashmë i kemi plotësuar të gjitha kriteret teknike dhe jemi në rrugë të mbarë që të bëhemi pjesë e kartonit të gjelbërt. Të tjerat janë të parëndësishme për mua sepse nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore dhe rezultatet janë të matshme”, ka shkruar Durmishi në Facebook.
Durmishi, sipas “Betimi për Drejtësi”, po hetohet në lidhje me tenderin e tiketave, për të cilin pas nënshkrimit, ishte zbrapsur.
Reagim për raportimin e “Betimit për Drejtësi” pati edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Ai ka thënë se deri tani s’ka qenë në dijeni e as s’është ftuar nga ndonjë institucion hetues.


