Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka dhënë një sqarim për mediat dhe qytetarët lidhur me aksidentin që ndodhi në Pestovë të Vushtrrisë. Në një deklaratë të lëshuar sot, ai shprehu ngushëllimet e tij më të sinqerta për familjarët e viktimës.
“Së pari ju shprehim ngushllimet tona të sinqerta familjarëve me rastin e humbjes së jetës së familjarit të tyre.”, tha Durmishi.
Ai sqaroi se në projektin për ndërtimin e rrugës Milloshevë – Mitrovicë, përveç kontraktorit, është angazhuar edhe një kompani konsulente që mbikëqyr punimet dhe sigurinë në terren.
“Menjëherë pas rastit kemi kërkuar një raport nga punëkryesi dhe kompania mbikqyrëse. Në bazë të këtij raporti konstatohet se në rrugë egziston sinjalistika e nevojshme dhe aksidenti ka ndodhur në pjesën e rrugës ku ka qenë i ndaluar komunikacioni.”, theksoi Durmishi.
Ai njoftoi se për trajtimin e rastit është angazhuar Policia e Kosovës, dhe se pritet raporti zyrtar i hetimeve për të sqaruar plotësisht shkaqet e aksidentit.
“Me këtë rast ftojmë policinë e Kosovës dhe institucioneve të drejtësisë që ta trajtojnë rastin me prioritet që sa më parë të zbardhen arsyet e aksidentit”, tha ai.
Në fund, Durmishi apeloi për kujdes të shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
“Me këtë rast ftojmë të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të lëvizin me kujdes në vendet ku zhvillohen punimet dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe sinjalistikën në vendëpunishte”.


