Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka theksuar rëndësinë e ndeshjes me Serbinë në garën për vendin e dytë në grup në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.
Duke në një intervistë për RTSH, ai ka kërkuar unitet dhe mbështetje për ekipin kombëtar.
“Parashikimi im miksohet me dëshirën time që ta fitojmë atë ndeshje”, ka thënë Duka. “Dua shumë që ta fitojmë, sepse është kundër një kundërshtari direkt për vendin e dytë. Një sukses na lë të hapur mundësinë për të vazhduar dhe për të luftuar për vendin e dytë”.
Megjithatë, Duka ka paralajmëruar se asgjë nuk është e sigurt, edhe nëse Shqipëria del fituese kundër Serbisë. Ai ka përmendur Andorrën dhe Letoninë si kundërshtarë që mund të hapin probleme për secilën nga skuadrat pretendente.
“Edhe nëse fitojmë me Serbinë, nuk do të thotë që u renditëm në vendin e dytë, por e lë të hapur mundësinë. Jam shumë i sigurt që njëri nga ne do të bëjë një hap fals me Andorrën ose Letoninë. Anglia është e vështirë, por ne ose Serbia mund të gabojmë. Uroj që të mos gabojmë ne. Ta bëjnë serbët”, ka shtuar ai.
Duka është ndalur edhe te rëndësia e atmosferës jashtë fushës, duke bërë thirrje për mbështetje dhe energji pozitive rreth skuadrës.
“Kjo është bashkë. Tribuna dhe fusha janë bashkë. Të gjithë ne jemi bashkë dhe duhet të krijojmë një atmosferë pozitive. Të mos krijojmë trysni dhe ambient konfliktual ndaj skuadrës. Duhet ta mbështesim, të fitojmë sportivisht dhe ta realizojmë objektivin. Nëse fiton ndeshjen, i ke realizuar të gjitha pritshmëritë. Nëse vë të gjitha gjërat e tjera para ndeshjes, do të rrëzohen edhe këto”, ka thënë ai.