Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit janë vërejtur fluturime të dyshuara të dronëve që dyshohet se vijnë nga territori i Serbisë, në pjesën veriore të vendit.
Hoxha ka thënë se Policia e Kosovës është në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe se po monitoron nga afër situatën.
“Gjatë ditëve të fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë se vijnë nga territori i Serbisë, në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR-in dhe jemi duke e bërë monitorimin se çfarë mund të bëhet. Është e rrezikshme për pjesën e kufirit, por për qytetarët tanë jo. Ne jemi duke i mbrojtur. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR-it, dhe ne i kemi njoftuar edhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Hoxha.
Ai theksoi se këto lëvizje mund të jenë të rrezikshme për zonën kufitare, por jo për qytetarët e Kosovës, pasi policia është e angazhuar për t’i mbrojtur ata.
Këtë deklaratë, drejtori Hoxha e bëri pas organizimit të shkatërrimit të disa armëve ilegale në Prelez të Ferizajt.
Përveç kësaj çështjeje, ai u pyet edhe nëse Policia e Kosovës do të zbatojë urdhrin e gjykatës për sjelljen e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe të tjerëve në gjykatë në rast se nuk marrin pjesë në seancën për gazin lotsjellës.
Lidhur me këtë, Hoxha u shpreh se beson që ministri Sveçla do t’i përgjigjet vetë kërkesës së gjykatës.


