Me kolona të gjata ishte rruga drejt Drenicës. Si shkak i reshjeve të vazhdueshme të shiut, ngasësit hasën në vështirësi në qarkullim në magjistralen Prishtinë-Pejë.
Gjendja me vërshime në Drenas veçse ishte shqetësuese, por meqë të reshurat nuk u ndalën situata veçse u përkeqësua.
Rruga që të dërgon në Drenas, nga Pokleku, konkretisht në lagjen Cërvadiku, ishte totalisht e bllokuar, andaj edhe banorët e qytetarët që duhej te kalonin andej detyroheshin të ktheheshin e të gjenin alternativa të tjera.
Kishte edhe prej atyre që rrezikonin për të kaluar rrugën në ato kushte të vështira. Në gjendje të keqe e te pakalueshme ishte kjo pjesë në Poklek të ri. Nga vërshimet u prekën edhe bizneset përreth.
“Çdo vit kemi dëmtime nga vërshimet”, tha Albert Qorri, përfaqësues biznesi.
Edhe banorë të kësaj rrethine folën për gjendjen e krijuar dhe vështirësitë në lëvizje. Vështirë e kalueshme ishte edhe rruga kryesore në Drenas.
Pa u prekur nga uji, nuk mbeti as nënstacioni në Drenas, ku si shkak i kësaj pati ndërprerje të energjisë elektrike.
Gjatë gjithë ditës, ekipet e zjarrfikësve qëndruan aty për të ndihmuar e për të evakuuar banorët që ishin të rrezikuar.
“…Mbi 20 familje i kemi larguar nga uji”, konfirmoi përfaqësuesi i zjarrfikësve për RTK-në.
Aty ishte edhe kryetari i Komunës së Drenasit e më pas erdhi edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës.
“Ekipi i zjarrfikësve i ka larguar 20 familje. Rrezikun nga uji e kemi këtu te stacioni i komunës sonë, ku si pasojë ne e kemi ndalur energjinë elektrike në gjithë territorin e Drenasit”, tha Ramiz Lladrovci.
“I kemi aktivizuar të gjitha mekanizmat shtetëror e institucional me të gjitha kapacitetet që kemi”, tha Hysen Durmishi, ministër në detyrë i Infrastrukturës.
Vërshime pati edhe në Skenderaj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryetari Sami Lushtaku njoftoi se situata e krijuar nga vërshimet në komunën e Skenderajt po menaxhohet me angazhim të plotë nga ekipet në terren. Ai shtoi se që nga orët e para, zjarrfikësit, shërbimet publike, policia dhe institucionet përkatëse janë duke punuar pa ndërprerë për të parandaluar dëme dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve, derisa theksoi se në këtë komunë, gjendja është nën kontrol


