Sot, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani, së bashku me stafin drejtues, kanë zhvilluar një takim me Këshilltarin Global të ICITAP-it për Kundërterrorizëm, z. Bill Sage, dhe Këshilltarin Rajonal për Njësitë e Inteligjencës Korrektuese, z. Frank Karam.
Gjatë takimit u diskutuan çështjet e sigurisë në institucionet korrektuese, si dhe vazhdimi i bashkëpunimit dhe mbështetjes për SHKK-në.
Mbështetja e ICITAP-it u vlerësua lartë nga drejtuesit e SHKK-së, veçanërisht për Departamentin e Inteligjencës Korrektuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ky departament ka arritur të rrisë ndjeshëm nivelin e sigurisë, duke u bërë një histori suksesi dhe një model i mirë për të gjithë rajonin.
Gjatë takimit është bërë edhe dorëzimi i donacionit të radhës me pajisje të avancuara teknologjike, që përfshijnë kompjuterë, pajisje detektuese dhe monitorë vëzhgimi, në vlerë prej rreth 50 mijë dollarësh.
ICITAP-i mbetet partneri kryesor i SHKK-së në zhvillim dhe reformë; përkrahja e tij është jetike dhe vendimtare për Shërbimin Korrektues të Kosovës.