Pas parandalimit të tentativës së kontrabandës së auto pjesëve dhe instrumenteve tabelorë në pikë kalimin kufitar të Vermicës tri ditë më parë, njësitë e Doganës kanë vijuar hetime për të ndalur veprimtarinë e paligjshme të kësaj natyre.
Si rezultat i hetimeve është arritur të lokalizohet objekti ku këto pjesë të makinave tregtoheshin në mënyrë të padeklaruar.
“Pas identifikimit të lokacionit është bërë edhe bastisja e këtij lokacion në Fushë-Kosovë. Në objekt janë gjetur pjesë rezervë, ulëse dhe pjesë të tjera të enterierit të veturave. Personat përgjegjës nuk ka pasur dokumentacion përkatës dhe dyshohet se është i kontrabanduar në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet nga Dogana e Kosovës.
Bëhet e ditur se vlera e mallit të konfiskuar llogaritet të jetë rreth 10,000 Euro.
Gjithashtu lidhur me ketë rast është njoftuar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Tutje në njoftim thuhet se ky sukses i Doganës së Kosovës dëshmon një herë tjetër përkushtimin në luftën kundër kontrabandës dhe aktivitete ilegale.


