Djegia e vetura me targa RKS në veri të vendit është duke vazhduar, kjo pasi edhe tri të tjera janë djegur mbrëmjes e së premtes në Komunë të Leposaviqit.
Këtë e kanë bërë të ditur për Telegrafin jo zyrtarisht brenda Policisë së Kosovës.
Gjithashtu për këtë ka reaguar edhe Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani.
Vela përmes një postimi në rrjetin social në Twitter ka thënë se strukturat ilegale të Serbisë janë duke përdor taktika kriminale dhe terrorizuese.
“Tri makina të tjera janë djegur në Leposaviq. Të diskredituara dhe me mbështetjen e pakësuar nga serbët e Kosovës, strukturat ilegale të Serbisë po përdorin taktika kriminale dhe terrorizuese. Sundimi i ligjit do të mbizotërojë dhe çdo fajtor do të sillet para drejtësisë. Regjimi piromane i Vuçiqit do të dështojë”, ka shkruar Vela në Twitter.
Ndryshe, përgjatë dy ditëve të fundit janë djegur disa vetura me targa RKS në veri të vendit, të cilat kanë ngjallur reagime të shumta si nga zyrtarët vendor po ashtu edhe ndërkombëtarë duke e quajtur si akt frikacak dhe kriminal.
Another 3 cars burnt in Leposavic. Discredited & with diminishing support from #Kosovo Serbs, #Serbia’s illegal structures are resorting to criminal and terrorizing tactics. Rule of law will prevail & every culprit will be brought to justice. Vučić’s pyromaniac regime will fail.
— Blerim Vela (@Blerim_Vela) April 1, 2023