Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur dy ditë më parë në Prishtinë. Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, një femër është dhunuar nga pesë persona.
Sipas raportit 24 orësh të policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të shtunën rreth orës 17:30.
Në një deklaratë nga zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj ka thënë se njëri nga personat e arrestuar është i mitur.
“Ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar, personi madhor është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa i mituri në kohëzgjatje prej 24 orësh”, ka thënë për kallxo.com, Ulaj.
Tutje Ulaj ka thënë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.
Ajo, po ashtu ka thënë se për rastin në fjalë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante.
Gjithashtu, Ulaj ka thënë se meqë rasti ka të bëjë me procedurë për të mitur, nuk mund të jepen informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë.
Ngjarja është raportuar nga Policia se ka ndodhur më 27 gusht, rreth orës 17:30 deri në 00:30.
“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare”, thuhet në raport.
Policia njofton se lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet e rendit.
Bëhet e ditur se rasti vazhdon të jetë në procedurë hetimore./KosovaNews/