Paraqitja e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në gjykimin kundër Pjetër Shalës, ka filluar me dëgjimin e një dëshmitari të mbrojtur, identiteti të cilit nuk është bërë i ditur për publikun.
Të dhënat personale të këtij dëshmitari janë lexuar në seancë private, gjithashtu publiku nuk ka dëgjuar as kur dëshmitari i është përgjigjur pyetjeve të prokurorit lidhur me një periudhë të pranverës së vitit 1998.
Sido qoftë, pas pauzës prej 30 minutash, ka vazhduar dhënien e dëshmisë dhe dëshmitarit të mbrojtur të prokurorisë (në atë që është transmetuar për publikun) iu kërkua të sqarojë se nga e ka identifikuar se njëri nga dy personat që kanë shkuar te shtëpia e tij, ka qenë Pjetër Shala.
“Personat që kanë qenë atë ditë te shtëpia, i kemi njohur sepse ata kinse kanë ardhur me urdhër të shtabit të UÇK-së”, tha dëshmitari i mbrojtur i prokirorisë.
“Më vonë përmes fqinjëve, dhe të tjerëve kam mundur të kuptoj se ka qenë Pjetër Shala me pseudonimin ‘Ujku”.
Dëshmitarit iu kërkua të shpjegojë se si e mësoi se Pjetër Shala ishte mes atyre njerëzve të atij grupi.
“Pasi babanë tim e kanë mbajtur për disa kohë në Kukës në fabrikën e hekurishteve, aty Pjetër Shala, personalisht mbi babanë tim ka ushtruar dhunë, elektroshok, me bishta të sakicave si dhe rrahje masive mbi gjithë të dënuarit e tjerë”, tha dëshmitari.
Prokurori kërkoi të sqarojë se si e ka marrë vesh ai që Pjetër Shala është pjesë e grupit, që ka shkuar tek shtëpia e tij në maj 1998.
“Disa fqinj i kanë pyetur ata se çfarë po kërkoni këtu, e ai u ka thënë ikni atje. E aty, fqinjët më kanë thënë se ishte Pjetër Shala dhe njerëzit që e kanë njohur, kur ka ardhur ai tek dera. Më kanë thënë se është Pjetër Shala, sepse unë nuk e kam njohur”, tha dëshmitari i prokurorisë.
Atij më tej iu kërkua të sqarojë nëse përveç fqinjëve, e ka identifikuar dikush tjetër Pjetër Shalën.
“Po, përmes babait dhe pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së”, u shpreh ai.
Dëshmitari deklaroi se ka dhënë dëshminë edhe për Tribunalin për Ish Jugosllavinë në vitin 2010.
Prokurori tha se në atë dëshmi nuk e ka thënë se Pjetër Shala ishte një nga ata persona që kanë shkuar tek shtëpia e tij.
“Por në Kukës, Shala i ka thënë në sy babait se ai e ka qëlluar në lokalin tonë para lufte, e përse nuk ka qenë në shtëpi kur kanë shkuar ta arrestojnë, duke ushtriar brutalitet jashtë njerëzores”.
Dëshmitari tha se edhe në dëshminë për Tribunalin për ish Jugosllavinë, e ka dhënë këtë emër.
Por prokurori kërkoi nëse ka ndonjë arsye përse në atë deklaratë nuk e ka përmendur emrin e Pjetër Shalës.
“Ndoshta prokurorët nuk e kanë përmendur sepse unë kam dhënë dëshmi edhe në procese të tjera”.