Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, i ka dalë në mbrojtje ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, duke thënë se kompania serbe e eksportimit të energjisë, GEN, është futur në tregun e Kosovës nga Partia Demokratike të Kosovës.
Muja iu kundërpërgjigj aktivitetit të deputetëve të PDK-së, të cilët në sallën e Kuvendit vendosën një baner në vendin ku ulet kryeministri Albin Kurti, me mbishkrimin: “Unë i besoj Martin B€ri$hajt”.
Deputeti i VV-së ka propozuar që të formohet një komision hetimor parlamentar edhe për ish-ambasadorin Akan Ismajli.
“Ajo çfarë dimë është se kompania serbe GEN ka filluar të punojë në Kosovë në vitin 2008 dhe kontratat e fundit me ta i kemi nënshkruar në vitin 2020. Dhe këto kontrata i ka nënshkruar Njazi Thaqi. GEN-in e ka pru PDK-ja. E bëmë një komision hetimor për energji. Ishte befasi paraqitja e Berishajt para këtij komisioni, kishte vetëm përshëndetje e lëvdata ndaj njëri-tjetrit, pa pyetje. Kjo ishte e turpshme. Cilat ishin gjetjet e komisionit hetimor? Asgjë. Por meqenëse po duhet edhe një komision hetimor për ambasadorët, propozoj që të kemi komision për 4 milionë frangat e padeklaruara të ish-ambasadorit Akan Ismajli, në kuadër të skandalit ‘Credit Suisse’. Ai ka qenë ambasador, s’i ka deklaruar. Ta shohim a ka diçka aty. Ka qenë operator i Bechtel-Enkas dhe ka bashkëpunuar me Veselinoviqin”, ka thënë Muja.
PDK-ja e LDK-ja bashkë kërkojnë përgjigje nga Kurti për ambasadorin Berishaj
Partitë opozitare kanë ngritur çështjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, edhe në Kuvendin e Kosovës gjatë seancës plenare që po mbahet të enjten.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se me çështjen e Berishajt po bëhet skandal dhe se Qeveria nuk po guxon ta trajtojë atë.
“Sot do të duhej të flisnim për programe që përmirësojmë jetën e qytetarëve si për arsim, por nuk mund të flasim për këto sepse jo vetëm që nuk ka progres po ka regres dhe degradim në secilin prej tyre. Ka disa muaj që kjo Qeveri nuk po ka guxim ta trajtojë një virus të dëmshëm për shtetin. Ambasadorin Martin Berishaj. Qe 273 ditë për 9 muaj raportimet kanë ardhur duke u shtuar, akuzat duke u ngritur e duke gjetur rrugë deri te kryeministri e Lëvizja Vetëvendosja. Janë munduar që përmes heshtjes ta tejkalojnë këtë situate po gabojnë se vetëm po konfirmojnë se janë të përfshirë. Si i shkon për shtati ky skandal shtetit, që përveç që heshtet kalon edhe pa pasoja”.
Krasniqi ka shtuar se kryeministri Albin Kurti duhet të përgjigjet rreth ambasadorit Berishaj dhe se ai duhet të hetohet.
“Kryeministri duhet të vijë këtu, në shtëpinë e popullit dhe tu përgjigjet disa pyetjeve. Si mund ta marrë dikush shtetësinë për një ditë dhe të nesërmen të emërohet ambasador? Si e mori dritën e gjelbër nga inteligjenca kosovare ambasadori Berishaj? Si mundet kryeministri me një lidhje shumë të ngushtë të heshtë për këtë skandal? A mundet së paku të na thotë pse, a po e ndalë Martini? Qytetarët kanë të drejtë t’i dinë përgjigjet e këtyre pyetjeve. Duhet bërë hetime serioze që tu jepet përgjigje këtyre pyetjeve, politikisht e juridikisht”.
Ndërsa, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sesioni i ri i Kuvendit po nis me më shumë paqartësi e skandale se ai paraprak. Ai ka folur për situatën në veri duke theksuar se Kosova nuk ka pasur kurrë më pak sovranitet e ligjshmëri.
Abdixhiku ka thënë se Berisha po merr mbrojtje të parezervë nga pushtetarët e vendit.
“S’kemi policë, gjyqtarë e prokurorë e as zgjedhje për pushtetet lokale. Kosova nuk duhet të ketë marrëveshje bazë dhe pa njohje brenda saj. Ky është momentumi ynë. I duhet marrëveshja Kosovës dhe i duhet njohja. Nuk kam se si të mos përmend edhe dy skandale të ditëve të fundit. I pari ka të bëj me një ambasador. Ky duket që është i lidhur jo vetëm politikisht por edhe financiarisht nga mbrojtësit e tij. Ambasadori ka dy kallëzime penale sot. Por ai vazhdon të marrë mbrojtjen e parezervë të pushtetarëve”.
Abdixhiku ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit dhe kërkimfalje për, siç ka thënë ai, lartësimin e Oliver Ivanoviqit.
“Skandali i dytë lidhet me rehabilitimin e një krimineli të luftës i cili nga ky pushtet na portretizohet si emër që i ka kontribuar Kosovës shumë etnike. Ai ka qenë i dënuar për vrasjen e 31 civilëve shqiptarë. Është turp, është monstrum politik që nuk guxojmë ta lejojmë të ndodhë në Kosovë. Derisa shohim këto dy skandale lind pyetja për qytetarët a është ky ndryshimi. Kuvendi ka dy kërkesa, shkarkim për të parin dhe hetim për ata që kanë lidhje me të dhe kërkim falje për lartësimin e kriminelit të luftës”.