Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Nijazi Isaku ka kërkuar shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), duke thënë se vendimet e këtij komisioni për kanalet serbe ka rrezikuar sigurinë nacionale dhe interesin e përgjithshëm.
“Shkarkim dhe vetëm shkarkim”, ka thënë Isaku, në mbledhjen ku po raportojnë anëtarët e KPM-së.
Paraprakisht Isaku ka thënë se KPM ka rrezikuar sigurinë nacionale kur ka vendosur të pezullojë vendimin, i cili ndalonte kanalet e “Arenas” nga Telekomi i Serbisë, e të cilat shfaqen mesazhe mbështetëse për terroristët që kryen sulm ndaj Kosovës.
Duke cituar vendimin e KPM-së, Isaku ka thënë se ndalimi i programeve serbe ishte bërë me qëllim që të mos cenohet siguria nacionale.
“Me të vërtetë është cënu siguria nacionale dhe interesi i përgjithshëm i Republikës së Kosovës”, ka deklaruar deputeti Isaku.
“Sepse krejt dynjaja e di, krejt ky vend e di që është ataku siguria nacionale më 3 tetor. Edhe ju jeni kanë të bindur fuqishëm se është atakuar siguria dhe interesi i përgjithshëm në vend. Çka ndrysho?”, ka pyetur ai.
Këto komente deputeti i Vetëvendosjes i ka bërë në mbledhjen ku po raportojnë anëtarët e KPM-së, ndërsa iu ka kërkuar sqarime për vendimin që lejon të transmetohen kanalet e Serbisë në Kosovë.

