Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka folë sot në fillim të seancës, me ç’rast për situatën e krijuar në veri pas dorëheqjeve nga Lista Serbe nuk ka fajësuar Serbinë, por Qeverinë e Kosovës, ndërsa pas mbarimit të fjalimit i ka sharë e kërcënuar ministrat e kabinetit qeveritar.
Ka qenë ministrja e Drejtësisë që u ka reaguar ashpër shefave të grupeve parlamentare të PDK-së e LDK-së, Abelard Tahiri dhe Arben Gashi.
“Ju ftoj mos me i keqinformu qytetarët e Kosovës. Me dal shefi i grupit parlamentar të PDK-së dhe LDK-së e me thanë që nuk ka prokurorë e gjyqtarë ne veri, shumë pak është me thanë që është keqinformim. A je në gjendje me dhanë dorëheqje nëse ajo çka ke than ti është e pavërtetë. Tash jam e gatshme bashkë me ty e me Arbenin me shku në Gjykatë në Mitrovicë aty janë prokurorët dhe gjyqtarët. Prandaj mos shpifni e mos manipuloni”, tha Haxhiu.
Pas këtyre deklaratave pati replikë nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i cili e quajti Haxhiun “ministre e sanksionuar e ShBA-ve”.
Ndërsa pas fjalës duke shkuar në vendin e tij, Abelard Tahiri ka kërcënuar e sharë ministrat e Qeverisë së Kosovës.
Kështu doli e tha në foltore zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi.
Ai pohoi se deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, e shau dhe e kërcënoi pasi ndali mikrofonin në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
“Deputeti Abelard Tahiri nga kjo foltore nxori një sërë akuzash për ministren Albulena Haxhiu. Ndërsa, pasi u ndal mikrofoni në stilin e një banditi që vendos shurdhues në armën e tij, u kthye nga unë dhe shprehur një serë kërcënimesh të cilat më pas i shoqëroi me të shara e fyerje”, deklaroi ai, duke i bërë thirrje Prokurorisë që të merret me këtë rast.
I menjëhershëm ishte reagimi i deputetit Tahiri, i cili këto akuza të Bislimit i quajti të pabaza dhe për të njëjtin tha se “është në gjendje të rëndë psikike”.
“Deputetë a jeni duke e pa? Këta e kanë një siklet të madh. Këta janë në një siklet që as vendi vend nuk po i zë. Ky flet akuza të pabaza, del në foltore dhe flet të pavërteta. Ky është në gjendje të rëndë edhe psikike. Ky është në gjendje të rëndë, andaj ne i kërkojmë kësaj qeverie fokus, punë dhe angazhim në kryerjen e detyrave të veta”, deklaroi Tahiri.
Në mbrojtje të Bislimi doli ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili mori fjalën pas Tahirit dhe pohoi pretendimet e zëvendkryeministrit se është ofenduar e kërcënuar nga deputeti i PDK-së.
“Isha edhe unë dëshmitar dhe mund ta konfirmoj atë që tha zëvendëskryeministri Bislimi se pas mbylljes së mikrofonit duke u kthyer nga foltorja në ulësen e tij kërcënoi dhe shau zëvendëskryeministrin. Ftoj Prokurorinë sepse kishte edhe kërcënim, jo vetëm gjuhë joparlamentare. Ftoj Prokurorinë ta marr shumë seriozisht kërcënimin e një personi që ka mbajt armë me shurdhues”, tha Murati./KosovaNews/