Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola ka reaguar pas vendimit që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori për anulimin e mbledhjes së dy qeverive.
Ai tha se Rama do t’i kishte vendosur edhe viza për Kosovën sikur ai të mos kishte frikë që mund t’i rrezikohej pushteti.
“S’ka çka m’u çuditë. Edhe vizat t’i kish vendosë po të mos kishte pasur frikë që mund t’i rrezikohet pushteti nga aktivizimi i atij pak delli të mbetur kombëtar, të pluhurosur trash nga te dyja anët e kufirit”, ka shkruar Gola në rrjetin social.
Të martën kryeministrit i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se mbledhja e dy qeverive shqiptare e paraparë të mbahej sot në Gjakovë, ishte anuluar.
Ai ka thënë se kishte propozuar një takim më të reduktuar, porse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka pranuar formatin e ri të takimit.
Pas kësaj ka reaguar Qeveria e Kosovës, duke vlerësuar se është hera e parë që një mbledhje e përbashkët anulohet njëanshëm.
Ajo ka fajësuar kryeministrin Rama, për anulimin e mbledhjes ndërqeveritare duke thënë se takimet bilaterale që i ka kërkuar Rama do të mund t’i zhvillonin secilën ditë tjetër.


