Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Besnik Bedrolli, duke e dënuar me dënim unik prej 11 vjet burgim lidhur me akuzën se në shkurt të vitit 2015, në restorantin “Agoni” në fshatin Banullë të Lipjanit, ka privuar nga jeta tani të ndjerin U.D. Kurse, të akuzuarin Bajram Bedrolli, gjykata e liroi nga akuza.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar të akuzuarin Bajram Bedrolli shkaku i parashkrimit të veprës penale të lëndimit të lehtë trupor dhe pas konstatimit se ai nuk kishte dhënë kontribut në vrasjen e ndodhur në një restorant në Lipjan.
Ndërsa Besnik Bedrollin e dënoi me 11 vjet burgim për vrasje të rëndë e posedim të paautorizuar të armëve.
Në aktgjykimin e tretë për këtë rast të shpallur të enjten kryetari i trupit gjykues Ngadhnjim Arrni tha se konflikti ishte i aty-për-atyshëm, porse e kishte tejkaluar mbrojtjen e nevojshme.
Lidhur me çështjen e paraburgimit gjykata do ta lëshojë një vendim të veçantë.
Në nëntor të 2018-s gjykata kishte shqiptuar dënim unik me 15 vjet burgim për Besnik Bedrollin për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Bajram Bedrollit i kishte shqiptuar dënim me 10 vjet burgim për ndihmë në vrasje të rëndë.
Pasi Apeli e ktheu në rigjykim rastin, në vitin 2020 Themelorja për të njëjtat vepra e dënoi me 12 vjet burgim Besnik Bedrollin, ndërsa Bajram Bedrollin me 2 vjet e 10 muaj për lëndim të lehtë trupor.
Sipas aktakuzës në fillim të pandehurit janë fjalosur me të ndjerin e më pas e kishin sulmuar si të ndjerin ashtu edhe Eroll Qyqalllën e Skënder Ademin me mjete të forta.
I ndjeri e kishte përdorur armën e tij për ta evituar sulmin, mirëpo i pandehuri Besnik Bedrolli, me revolen e tij në afërsi rreth një metër ka shtënë në drejtim të viktimës duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.


