A.I., shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, është dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë, pasi e ka pranuar fajësinë se kishte kërkuar 500 euro nga e dëmtuara I.I., ose në të kundërtën do t’ia publikonte fotot intime në internet dhe do t’ia dërgonte vëllait të saj.
Sipas aktgjykimit të përpiluar më 27 qershor të këtij viti, dënimi me burgim ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti.
Ndryshe, në seancën fillestare, i akuzuari kishte deklaruar se është penduar për veprën e kryer dhe se në të ardhmen nuk do të përsëris më veprime të tilla.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, thuhet se më 28 dhjetor 2019, rreth orës 20:10, në Gjakovë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e kanos të dëmtuarën I.I., se do të zbulojë fotografitë intime të saj të cilat dëmtojnë nderin apo autoritetin e saj, duke tentuar që të detyrojë të njëjtën të veprojë në dëm të pasurisë së saj.
Tutje sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që pasi e dëmtuara dhe i akuzuari për një kohë komunikojnë me njëri-tjetrin përmes rrjeteve sociale, duke shkëmbyer fotografi intime, në ditën kritike i dyshuari i dërgon mesazh të dëmtuarës duke i treguar fotot e saj intime që i posedon dhe nga e njëjta kërkon shumën e parave prej 500 euro, në të kundërtën do t’ia publikon fotot në internet dhe do të ia dërgoi vëllait të saj, për çka e dëmtuara e paraqet rastin në polici.
Me këto veprime, ai akuzohej se ka kryer veprën penale shantazh në tentativë nga neni 329 paragrafi 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.


