I dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se janë përmendur gjashtë kushtet e parashtruara nga shefi i ekzekutivit.
Lajçak ka thënë se arsyeja pse ka ardhur në Kosovë për të mbajtur takim me kryeministrin Albin Kurti është çështja e planit evropian.
I pyetur për çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ai tha se tashmë është e ditur se gjithçka që është nënshkruar, duhet të zbatohet.
“Janë përmendur edhe kushtet e Kurtit, për ne e rëndësishme është që të bëhen marrëveshje, për normalizim të raporteve”, tha Lajcak.
Ai shtoi se sonte vizitën e tij do ta vazhdojë edhe në Beograd sonte, dhe se kjo është vizita e 10-të që nga shtatori në Kosovë.
Kurti gjatë ditës ka zhvilluar takim edhe me ambasadorët e QUINT-it.
Zyra e kryeministrit ka njoftuar se temë qendrore e diskutimit ishte procesi i dialogut, propozimi evropian dhe rruga përpara.
Theksohet se Kurti i njoftoi ata me qëndrimet e Qeverisë përfshirë këtu edhe gjashtë pikat e prezantuara në Seancën e Kuvendit javën e kaluar në lidhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.
Ndër të tjerash, ai tha se Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për dialog përmes qasjes konstruktive dhe propozimeve kreative
Ndryshe, ditëve të fundit, të dërguarit nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë vizituar Prishtinën dhe Beogradin për t’i inkurajuar palët të pranojnë një propozim të ri “Franko-Gjerman”, që dy shtetet të normalizojnë raportet dhe të përshpejtojnë rrugëtimin e tyre drejt BE-së.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011, por vetëm disa prej 33 marrëveshjeve të arritura janë zbatuar deri më tani. Sipas kryeministrit Kurti, Serbia nuk i ka përmbushur shumicën e këtyre marrëveshjeve.