Ish-ministri i Punëve të Jashtme, tani deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar lidhur me deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenbeg, i cili të enjten në një konferencë për media ka thënë se çdo zbarkim i forcave speciale në veri të Kosovës duhet të bëhet në koordinim me NATO-n.
Hoxhaj ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se falë tyre procesi i dialogut është zvogëluar rreth gabimeve strategjike të Kosovës dhe jo interesave të saj.
“Sot u pa qartë edhe një herë se me dyshen Osmani-Kurti, procesi i dialogut është zvogëluar rreth gabimeve strategjike të Kosovës dhe jo interesave të saj, kur nga selia e NATO-s u tha se Kosova tani duhet të kërkojë leje nga KFOR-i për të vendosur forcat policore në veri. Lajm i keq!”, ka shkruar ish-kryediplomati në Facebook.


