Këshilli i Prindërve i Kosovës ka kërkuar edhe sot ndërprerjen e menjëhershme të grevës dhe nisjen e procesit mësimor.
Si pasojë e grevave që kanë nisur në sektorin e arsimit më 25 gusht, mbi 300.000 nxënës kanë mbetur pa mësim, ndërsa tashmë ka mospajtime edhe brenda SBAShK-ut dhe disa shkolla pas votimeve të fshehta kanë vendosur që të nisin procesin mësimor.
“E hëna, më 3 tetor, duhet të jetë dita e fillimit të mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës! Asnjë arsyetim më nuk i ndalon prindërit të shfaqin revoltën në çdo formë! E tepruar sa nuk ka kjo grevë!”, thuhet në reagimin e fundit që ka lëshuar Këshilli i Prindërve, raporton KosovaNews.
Kujtojmë se pakënaqësitë me zgjatjen e grevës së organizuar nga SBAShK-ut vetëm sa po rriten.
Deri sa një pjesë e shkollave pas votimeve të fshehta kanë vendosur të nisin procesin mësimor, në ato shkolla ku ende po mbahet greva, prindërit po organizojnë protesta.
Mosbindje ndaj drejtuesve të SBAShK-ut kanë treguar mësimdhënësit e një ndër shkollat më të mëdha të vendit, shkollës “Hasan Prishtina”, në kryeqytet, e cila ditë më parë nisi mësimin.
E po ashtu grevën e kanë ndalur edhe disa shkolla në komunën e Gjakovës, Podujevës, Kaçanikut, Deçanit, e disa në vende tjera.
E duke parë se greva po thyhet nga vetë mësimdhënsit, tashmë edhe drejtuesit e SBAShK-ut kanë dhënë shenja se mund të ndërpritet greva.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBAShK) dje bëri të ditur se po kërkon mendimin e anëtarësisë për pezullimin e grevës në arsim.
Në njoftimin për media bëhet e ditur Këshilli grevist i SBAShK-ut bazuar në kontratën kolektive dhe sipas ligjit për grevën, e duke e analizuar ecurinë e grevës deri më tash, kërkon mendimin e anëtarësisë greviste që nga çerdhet e deri në universitete lidhur me idenë për pezullimin e grevës më së largu deri në janar 2023 dhe që grevistët t’i rikthehen mësimit që nga data 3 tetor 2022./KosovaNews/


