Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, foli edhe për atë se Kosova është pjesë e ushtrimit më të madh ushtarak që ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po zhvillon aktualisht në Evropë, “Defender Europe 25”, me pjesëmarrjen e 25 mijë trupave nga 29 vende anëtare të NATO-s.
Kurti theksoi se Kosova ka nderin të jetë një nga 18 vendet nikoqire të këtij ushtrimi, ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po merr pjesë me rreth 1000 trupa në operacionet që po zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut.
“Për herë të parë, Republika e Kosovës është vendi ku është vendosur komanda e Divizionit 28 të këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane”, tha Kurti, duke shtuar se kjo komandë taktike, e vendosur në bazën e FSK-së në Aeroportin e Gjakovës, po udhëheq me brigadat në gjithë rajonin e Evropës Juglindore.
Sipas tij, kjo është dëshmi e besimit dhe aftësive të institucioneve të Kosovës dhe të ushtrisë për të mikpritur dhe menaxhuar ushtrime ushtarake të një shkalle të lartë kompleksiteti.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në kufi, Kurti ngriti shqetësimin për rritjen e pranisë së Forcave të Armatosura të Serbisë pranë kufirit me Kosovën, duke e parë këtë si një reaksion të mundshëm ndaj stërvitjes “Defender Europe 25”.
“Besojmë që kjo rritje e pranisë ushtarake është reaksion ndaj ushtrimit ‘Defender Europe 25’. Ajo që nuk e dimë ende është nëse Serbia po e bën këtë në mënyrë të pavarur apo me kërkesë të Rusisë”, tha Kurti.