Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës sot është arrestuar Nagip Krasniqi – kryeshef ekzekutiv i KEK-ut, nën dyshimin se ka keqpërdorur pozitën apo autoritetit zyrtar, ushtrim i ndikimit si dhe konflikti i interesit.
Në njoftimin e lëshuar Prokuroria Speciale thuhet se “me urdhër të kësaj prokurie Policia e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet N.K. (Nagip Krasniqi) për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”.
“Po ashtu, Njësia e Veçantë e Hetimeve sot ka bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura. Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, thuhet në njoftim.
Me aktvendim të Prokurorit të shtetit i pandehuri me inicialet N.K., është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Hetues nga Departamenti i Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës sot kanë bastisur zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Bastisja ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime për tenderin e një remonti të kaldajës në bllokun A5 të termocentralit “Kosova A”.
Bastisjen në KEK e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti duke mos dhënë detaje shtesë.
“Referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Policia e Kosovës është duke zhvilluar një kontroll në KEK dhe për detajet tjera rreth rastit do të informoheni me kohë”, ka thënë Mehmeti.