Në fjalimin gjatë seancës së kërkuar nga Serbia pas hyrjes në fuqi të Rregullores së re të BQK-së që e përcakton euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se pretendimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se Kosova po kryen spastrim të serbëve, përbëjnë propagandë të rreme dhe nxitje të tensioneve
Kryeministri Albin Kurti e ka kualifikuar gënjeshtër çdo pretendim të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të shprehur në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se nëpërmjet vendimit të fundit të Bankës Qendrore (BQK) që e përcakton euron si valutën e vetme për pagesa, Kosova është duke kryer spastrim të serbëve.
Në fjalimin e mbajtur para KS të OKB-së, në seancën e kërkuar nga Serbia pas hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, Kurti ka theksuar se pretendimet përbëjnë propagandë të rrejshme dhe nxitje të tensioneve.
“Gjithçka tjetër është propagandë e rrejshme dhe nxitje e tensioneve. Rregullorja sjell ligjshmëri të importit të parave në Kosovë në përputhje me Kushtetutën dhe politikën monetare të BE-së. Beogradi ka thirrur alarm jo për shkak të këmbimit të dinarit në euro, por për shkak se po ndalohen thasë me dinarë në kufij dhe ata ankohen jo për shkak të brengës për qytetarët serbë të Kosovës, por sepse ato tubacione të parave në veri të Kosovës po ndalen”, ka thënë Kurti, teksa ka shtuar se është Serbia ajo që ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit të shkuar dhe se ende vazhdon të veprojë njësoj.
Presidenti serb Vuçiq ka vlerësuar Rregulloren e BQK-së sulm ndaj popullatës serbe në Kosovë.

“Ky është sulm ndaj popullatës serbe dhe e bën situatën në Kosovë të vështirë. Prishtina po i pamundëson veprimet e të gjitha institucioneve shëndetësore, kulturore e arsimore që ofrojnë kushtet bazike. Çdo parandalim i financimit të spitaleve, shkollave e çerdheve të Serbisë është sulm i drejtpërdrejtë ndaj serbëve dhe ndaj themelimit të Asociacionit”, ka thënë ai. E kryeministri Kurti ka theksuar se Serbia duhet të ndalojë së “fantazuari” se Kosova po kërkon hakmarrje për vrasjet dhe krimet e tjera të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Ne nuk do të hakmerremi. Dua drejtësi dhe drejtësi është drejtësi duke mos qenë hakmarrje. Në mënyrë që të kemi paqe, raporte normale, ata duhet të ndalen së fantazuari se ne po kërkojmë hakmarrje. Unë si kryeministër ju garantoj se nuk po kërkojmë hakmarrje”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë gjithashtu se nuk është befasi që Serbia nxit probleme nga veprimet e ligjshme të Kosovës, tek ka kujtuar se Serbia udhëhiqet nga fytyra të larta të regjimit të Slobodan Milosheviqit, përfshirë vetë presidentin Vuçiq, i cili ka qenë ministër i Informimit gjatë viteve 1998-2000.
Kurti ia ka përmendur Vuçiqit sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, në të cilin pati mbetur i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Tek ka kujtuar se Serbia pati shpallur ditë zie për tre serbët e vrarë në Banjskë, Kurti ka akuzuar Vuçiqin për financim dhe mbështetje të sulmit terrorist.
“Një rast i qartë ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar. Rreth 80 paramilitarë të mbështetur nga Serbia filluan një sulm të paprovokuar ndaj patrullës policore në Kosovë, duke rezultuar me vdekjen e policit Afrim Bunjaku dhe lëndimin e dy të tjerëve. Përkundër përpjekjes terroriste, duke përdorur edhe pelegrinët e pafajshëm si mburoja, policia jonë i ka shmangur këto viktima. Më 27 shtator, Serbia shpalli ditë zie për terroristët e vrarë nga policia e Kosovës dhe nga operacioni anti-terrorist. E vërejtët që sot, z. Vuçiq po rikujtonte disa serbë që janë lënduar apo plagosur në incidente të ndryshme, por nuk i përmendi tre serbët e vrarë. Pse nuk i përmendi këta? Sepse e di që ata kanë qenë terroristë të financuar, mbështetur dhe orkestruar nga ai vetë dhe mu për këtë tre serbët e vrarë nuk u përmendën fare”, ka thënë kryeministri Kurti. E, në fjalën e tij përmbyllëse, Vuçiqi ka theksuar se në rastin në Banjskë “serbët që kanë lindur dhe jetuar në Kosovë janë përpjekur që t’i mbrojnë pragjet” e shtëpive të tyre. Ai ka thënë se nuk bëhet fjalë për shkelje të integritetit territorial të “askujt”.
Kurti, ndërkaq, ka akuzuar Serbinë edhe për mosnënshkrimin e marrëveshjeve të dala nga dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) – atë bazë të arritur në Brukselit dhe Aneksin për zbatimin e saj të dakorduar në Ohër – si dhe për mosrespektimin e pikave të dakorduara.
“Serbia refuzon dy obligime kyç – të mos e pengojë anëtarësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe të mos e respektojë integritetin territorial. Nënshkrimi i marrëveshjes nuk është vetëm formalitet, është edhe garanci për implementimin e saj të plotë dhe të pakusht, edhe për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Përkundër ofertave të mia të përsëritura, z. Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë, e ftoj të nënshkruajë këtu sot, menjëherë, duke theksuar rolin krucial të kartës së OKB-së në këtë marrëdhënie. Ky akt simbolik do të demonstronte përkushtimin e tij për marrëdhënie paqësore me Kosovën”, ka thënë Kurti.
Tek ka komentuar mbi akuzën e Vuçiqit për spastrimin e serbëve nga Kosova, kryeministri Kurti ka kthyer vëmendjen tek mënyra se si Serbia i trajton shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.
“Qeveria serbe sistematikisht i ka hequr mbi 4 mijë e 200 shqiptarë etnikë nga regjistri civil në Medvegjë dhe mbi 2 mijë në Bujanoc. Kjo shlyerje e njerëzve ka pasoja të prekshme, viktimat nuk kanë qasje më në letërnjoftime, pasaporta, shërbime mjekësore, ndihmë sociale, transaksione pronësore, pensione dhe të drejta votimi, pra i bën ata të jenë pa shtet. Kjo fushatë është metodë e shpopullimit të shqiptarëve atje”, ka thënë ai, tek i ka numëruar të drejtat që i gëzojnë serbët në Kosovë. “Me krenari themi që e zbatojmë Kushtetutën me masat më të larta të mbrojtjes së të drejtave të pakicave, 20 ulëse të garantuara në Parlament nga 120 në total, prej të cilave 10 janë të serbëve veçanërisht. Serbët në Kosovë kanë, po ashtu, 10 nga 38 komunat në Kosovë. Gjuha serbe është gjithkund gjuhë zyrtare. Ideja që Kosova po kryen spastrim etnik apo persekutim ndaj komunitet serb është thjesht gënjeshtër që është demantuar nga shumë organizata ndërkombëtare”.
Për Rregulloren e BQK-së, Kurti ka thënë se ajo nuk e pengon Serbinë që t’u ofrojë ndihma financiare serbëve.
Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në KS të OKB-së, Linda Thomas-Greenfield, ka përsëritur kritikën ndaj Kosovës rreth Rregullores së BQK-së, duke e kualifikuar si veprim të ndërmarrë në mënyrë të pakoordinuar dhe pa konsultim me serbët lokalë. Ajo ka thënë se dialogu i lehtësuar nga BE-ja dhe jo KS e OKB-së është vendi për zgjidhjen e çështjeve midis Kosovës e Serbisë.
“Shtete e Bashkuara mbesin të përshkuara për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe mbështetjen tonë për Forcën e Kosovës nga NATO-ja në përputhje me mandatin e OKB-së. Inkurajojmë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, që SHBA-ja e mbështet fuqimisht dhe vazhdimisht. Që të jemi të qartë, është dialogu i lehtësuar nga BE-ja e jo i Këshillit të Sigurimit që duhet të jenë kanale për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe zgjidhjet që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kështu SHBA-ja ka shprehur brengën sa i përket planit të Kosovës për zbatimin e Rregullores së ndryshuar të BQK-së për sa u përket transaksioneve në para të gatshme. Vendimi është marrë pa përgatitje adekuate apo konsultim me popullatën lokale. Edhe një herë bëjmë thirrje për zbatim të këtij plani, por që të shtyhet derisa të ketë procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane”, ka thënë Thomas-Greenfield. Ajo ka thënë se SHBA-ja është e brengosur edhe për “veprimet e Qeverisë së Kosovës ndaj zyrave të institucioneve të mbështetura nga Serbia”. “Këto veprime nuk janë konsistente me zotimin e Kosovës që të punojë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të rregulluar çështje që kanë të bëjnë me mirëqenien e komunitetit serb në Kosovë, si dhe dëmtojnë rrugëtimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ajo.
Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe ka thënë se tensionet aktuale e ritheksojnë rëndësinë për përkushtimin më të madh të palëve për dialogun.
“Së pari Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë zotimet e tyre dhe të shmangin veprimet e njëanshme. Së dyti, Kosova duhet të ushtrojë pushtetin e vet sovran në përputhje me vizionin e demokracisë shumetnike që është ngulitur mu në zemër të Kushtetutës së Kosovës. Sa u përket veprimeve të fundit, BQK-ja ka kërkuar që të zbatojë përgjegjësitë e veta për rregullimin e valutave të huaja, por që implementimi i këtyre masave nga Qeveria e Kosovës ka treguar vëmendje të paktë për sa i përket ndikimit në komunitetit serb. Autoritetet e Kosovës duhet të ndërtojnë një plan të qartë që të gjithë serbët e Kosovës të vazhdojnë të marrin të ardhura dhe që shërbimet themelore të vazhdojnë të funksionojnë derisa të gjendet një zgjidhje e gjithanshme”, ka thënë përfaqësuesi britanik.
Ai ka përsëritur thirrjen që Serbia t’i nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë. Këtë thirrje Serbisë ia ka adresuar edhe përfaqësuesi i Zvicrës, teksa Kosovës i ka kërkuar që t’i shmangë veprimet e njëanshme.
Lidhur me veprimet e njëanshme, Kurti ka folur në fjalën e tij përmbyllëse.
“Jam kritikuar për veprime të njëanshme, por unë jam kryeministër për shkak se Kosova është Republikë, po të mos ishte vendi im Republikë, unë nuk mund të bëhesha kryeministër, pra i mbroj interesat e një republike demokratike. Për veprime të dyanshme, në të kundërtën e njëanshme, të nënshkruajmë marrëveshjen, të cilën e kemi dakorduar si tekst. Kemi marrëveshje, por që të mos kemi shkelje të marrëveshjes, për ta respektuar dhe zbatuar atë plotësisht unë po them që të marrim një veprim bilateral që do të ishte nënshkrimi i marrëveshjes, ashtu që të përmbahemi dhe t’i përkushtohemi me nënshkrime tekstit dhe frymës së marrëveshjes”, ka thënë kryeministri.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së mban seanca të rregullta për situatën në Kosovë dy herë në vit, në prill dhe tetor, gjatë të cilave diskutohen raportet gjashtëmujore të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK). Seanca e fundit është mbajtur më 23 tetor 2023.