Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka kritikuar Qeverinë e Kosovës “për përfshirje” në vendimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e cila përcakton që vetëm euroja të përdoret si valutë për pagesa me para të gatshme.
Në një postim në Facebook, Çitaku ka thënë se kjo është punë e BQK-së dhe se vendimit duhet t’i kishte paraprirë një fushatë intensive informuese, në mënyrë që mos të keqpërdoret nga kundërshtarët e shtetit të Kosovës.
“Njerëzit e vegjël korrin “fitore” të vogla, në përpjekje të dëshpëruara për ta kompensuar deficitin e rolit historik e patriotik. Çka po trumpetoni tash, pashë zotin? Ky vend e ky popull e ka dëbuar ushtrinë e policinë e Serbisë, e ka shpallur pavarësinë, e ju flisni për dinarin e disa pensionistëve. Njëjtë si me targat, që nuk solli asnjë të mirë, por e solli draftin e statutit për asociacionin që e tejkaloi marrëveshjen e 2013 në Bruksel. Çka do të sillni tani me dinarin? Çështja e dinarit është punë e BQK-së. Vendimit duhet t’i kishte paraprirë një fushatë intensive informuese, në mënyrë që mos të keqpërdoret nga kundërshtarët e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Çitaku.
Sipas Çitakut, çështja e Qeverisë është njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë, integrimi në NATO dhe BE.
“Çështja e Qeverisë është njohja reciproke në mes të Kosovës e Serbisë, integrimi në NATO dhe BE. Kosova është çliruar në vitin 1999 dhe është pavarësuar në vitin 2008. E çështje edhe më e rëndësishme e më imediate për qeverinë është përmirësimi i jetës së qytetarëve, të bëjë diçka për ekonominë, të rritet ekonomia e të hapen vende të punës; të përmirësojë arsimin e shëndetësinë, të rregullojë rrugët e infrastrukturën në përgjithësi, e jo të nis beteja që janë fituar moti”, ka viijuar ajo.
Ajo ka akuzuar qeverinë se me vendime të tilla po sjell sanksione nga aleatët.
“E me amatorizëm të na sjell sanksione nga aleatët. Për më tepër, problemi që e kemi si vend nuk është me serbët e Kosovës. Por me Serbinë. Mos i humbni aleatët. Mos e merrni si të mirëqenë mbështetjen nga aleatët. Punoni mbarë nëse dini. Nëse jo, shkoni në shpi”, ka përfunduar Çitaku.
Ndryshe, Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) – e cila përcakton që vetëm euroja të përdoret si valutë për pagesa me para të gatshme – hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e zbatimit të saj.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se zbatimi i rregullores për transaksionet me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtë dhe se nuk do të ketë gjoba për posedimin e valutave të vendeve të tjera.
Ky vendim i Kosovës u kundërshtua nga Serbia, ndërsa bashkësia ndërkombëtare kërkoi shtyrjen e zbatimit të tij me arsyetimin se ekziston shqetësimi se mund të ketë ndikim negativ tek serbët e Kosovës.