Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku pas dështimit për të 19-në herë të seancës konstituive i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti që të reflektojë dhe të zhbllokojë situatën në mënyrë që të konstituohen insitutcionet.
Çitaku para mediave tha se nuk i komentojnë dëshirat e deputetit Kurti, pasi sipas saj, PDK vlerëson realitetin politik në Kuvend.
“I bëjmë thirrje deputetit Kurti që të reflektojë, të zhbllokojë situatën në mënyrë që institucionet të konstituohen… PDK ka qenë jashtëzakonisht e përgjegjshme dhe konstruktive dhe po mundohemi të bëjmë çdo gjë në funksion të zhbllokimit…”, tha ajo.
Deputetja e PDK-së u pyet nga gazetarët edhe për deklaratat e Kurtit të një dite më parë.
“Ne nuk i komentojmë dëshirat e deputetit Kurti… Ne e vlerësojmë realitetin politik në Kuvend, nuk e ka shumicën parlamentare, i bëjmë thirrje të reflektojë, të ndërrojë kandidatin dhe të ecim tutje”, tha ajo.