KosovaNewsKosovaNews
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
    • Auto
    • Teknologji
    • Kuriozitete
KosovaNewsKosovaNews
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
Search
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
    • Auto
    • Teknologji
    • Kuriozitete
Follow US
© KOSOVANEWS ||Made by V͟I͟R͟A͟L͟ D͟i͟g͟i͟t͟a͟l͟
Home » Çfarë mund të pritet nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë?
Politikë

Çfarë mund të pritet nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë?

Kosova News
Kosova News 15:10 -05/05/2025
Shpërndaje
Shpërndaje

Me Johann Wadephul në krye të ministrisë së Jashtme, Ballkani Perëndimor mund të presë mbështetje të qartë për integrimin evropian – por gjithashtu kërkesa të forta për reforma reale.

Me emërimin e Dr. Johann David Wadephul si ministër i Jashtëm, Gjermania kthehet drejt një diplomacie më pragmatike.

Johann David Wadephul, i lindur në vitin 1963 në Husum, në veri të Gjermanisë, është jurist i diplomuar në Universitetin e Kiel-it dhe major në rezervë në Bundeswehr.

Anëtar i CDU-së që nga viti 1982, ai ka ndërtuar një karrierë të gjatë politike në landin Schleswig-Holstein dhe që nga viti 2009 është deputet në Bundestag.

Pas zgjedhjeve të vitit 2017, Johann Wadephul u emërua zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU për çështjet e mbrojtjes, politikës së jashtme dhe sigurisë.

Si nënkryetar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ai është angazhuar për një bashkëpunim më të ngushtë evropian në fushën e sigurisë dhe për mbështetjen e pakushtëzuar të Ukrainës.

Në lidhje me marrëdhëniet transatlantike dhe politikën e ndryshuar të SHBA-së nën presidentin Donald Trump, Wadephul ka thënë: “Ne duhet ta mbajmë dorën të shtrirë, të jemi të gatshëm për negociata, por duhet të sigurojmë se mund të mbrohemi vetë nëse negociatat nuk ecin mirë”.

Diplomaci më e matur dhe pragmatike

“Ndryshe nga Annalena Baerbock, Wadephul do të ndjekë një stil më të përmbajtur, më pragmatik dhe më të fokusuar te rezultatet konkrete”, i tha Deutsche Welle-s Hans-Joachim Falenski, ish-këshilltar për politikën e jashtme në grupin CDU/CSU dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij deri në vitin 2021.

Një shembull i kësaj qasjeje u pa në vitin 2022, kur Wadephul kritikoi hapur kancelarin Olaf Scholz për vizitën e parë zyrtare në Ballkan.

Scholz kërkoi publikisht në Beograd që Serbia ta njihte pavarësinë e Kosovës, një deklaratë që Wadephul e quajti “amatoreske”, pasi, sipas tij, kërkesa të tilla duhet të adresohen me kujdes diplomatik për të mos bllokuar dialogun.

“Kjo është e dëshirueshme dhe këtë e dinë të gjithë, por njohja duhet të vijë në fund të një procesi, ndërsa tani kjo deklaratë e thënë në publik në mënyrë kaq amatoreske e ngarkon të gjithë procesin, i cili është bërë i vështirë për Serbinë”, tha Wadephul asokohe në Bundestag.

Ai kritikoi gjithashtu faktin që kancelari gjerman shkoi fillimisht në Prishtinë dhe më pas në Beograd.

Një njohës dhe ndjekës i vëmendshëm i rajonit

Kolë Gjoka, Konsull Nderi i Shqipërisë në Hamburg dhe ish-kandidat për Bundestag nga CDU e Schleswig-Holstein-it, ka punuar ngushtë me Wadephul-in në strukturat partiake të këtij landi.

Ai thotë për DW: “Wadephul është prej vitesh eksperti më i mirë i politikës së jashtme në CDU/CSU dhe përkrahës i forcimit të rolit të Europës në politikat globale”.

Gjoka, i cili prej vitit 2017 ka qenë në listën e landit si kandidat për Bundestag, beson se Wadephul “do të ketë një ndikim të madh në dialogun Kosovë-Serbi dhe do të jetë një mbështetës i jashtëzakonshëm në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”.

Për vite me radhë, Wadephul ka udhëhequr Grupin e Punës për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, një platformë ndërsektoriale që bashkonte deputetë të specializuar për të ndjekur zhvillimet në rajon.

Në këtë grup merrte pjesë edhe Gunther Krichbaum, i cili tani është emëruar Sekretar Shteti për Çështje Evropiane në Ministrinë e Jashtme, post ky, që deri tani e ka Anna Lührmann, nga të Gjelbrit.

Me këtë strukturë të re, pritet që Ballkani Perëndimor të mbetet një prioritet i diplomacisë gjermane – por gjithmonë i lidhur me përmbushjen e standardeve dhe reformave.

Integrim në BE, por në bazë të meritave

Si Wadephul ashtu edhe Krichbaum janë figura që janë shprehur qartë edhe për politikat e brendshme në Shqipëri pa ngurruar të flasin edhe për konfliktet e brendshme politike të partisë simotër, Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Kështu, për shembull, vetëm disa muaj më parë, Krichbaum dënoi protestat e dhunshme të PD-së në Tiranë dhe kritikoi liderin e saj Sali Berisha, duke theksuar se “një demokraci e shëndetshme ka nevojë për një opozitë të fortë dhe paqësore që përputhet me vlerat evropiane”.

Ai sugjeroi gjithashtu që Partia Demokratike të zgjidhte një kryetar të ri për të rikthyer besueshmërinë dhe orientimin pro-evropian të saj.

Wadephul dhe Krichbaum janë arkitektët kryesorë të kushteve shtesë që Bundestagu vendosi në vitin 2020 për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Wadephul i tha asokohe DW: “Vendosëm disa parakushte që më kushtuan shumë punë dhe energji, dhe nëse ato nuk plotësohen, atëherë do ta kem të vështirë t’i bind kolegët e grupit tim parlamentar që ta shoqërojnë pozitivisht procesin”.

Pritet që kjo qasje ndaj kushteve të ndiqet edhe në të ardhmen.

“Reformat juridike, lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i institucioneve, veçanërisht në Shqipëri, do të mbeten kritere kyçe për procesin e integrimit evropian”, thotë Falenski.

Mijatovic: Të mos u hapet rrugë regjimeve autoritare

Një veçanti shoqëron emërimin e Wadephul si Ministër i Jashtëm: për herë të parë pas gati 60 vitesh, Ministria e Jashtme gjermane ndodhet sërish në duart e CDU-së.

Historikisht, ky post u ishte lënë zakonisht partnerëve të koalicionit.

Tani, si Kancelaria, ashtu edhe Ministria e Jashtme drejtohen nga e njëjta parti – CDU-ja.

Politikani i opozitës Boris Mijatović, ekspert për Ballkanin në radhët e partisë “Të Gjelbërit” dhe bashkëpartiak i ish-ministres së Jashtme Annalena Baerbock, sheh këtu një problem.

Ai paralajmëron se pesha dhe pavarësia e politikës së jashtme gjermane mund të dobësohen, pasi kancelari i ardhshëm Friedrich Merz pritet të marrë një rol shumë aktiv në çështjet ndërkombëtare dhe të përqendrojë më shumë kompetenca në zyrën e tij.

Nga Wadephuli si ministër i Jashtëm, Mijatovic pret që të angazhohet për shtetin e së drejtës, për demokracinë dhe për një perspektivë të qartë evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Gjermania duhet të qëndrojë hapur në anën e forcave demokratike në rajon dhe të mos i hapë rrugë regjimeve autoritare”, ka thënë ai. /DW/

Gjithashtu lexoni:

Aeroplani përplaset mbi shtëpinë e një familjeje në Gjermani, dy persona humbin jetën

Krasniqi: Pres që aktgjykimi ta dëshmojë pastërtinë e luftës së UÇK-së

Rënia e temperaturave, nesër pa kufizime për automjetet mbi 20 tonë

“S’mund të ketë qeveri anti-amerikane nga një popull pro-amerikan”, thotë Kusari-Lila

Aleanca: Nëse plotësohen kërkesat tona, e pranojmë Konjufcën president

Kosova News 05/05/2025 05/05/2025
Shpërndaje
Facebook Whatsapp Whatsapp Email Copy Link Print
- Reklamë -
Ad image
Moti
10°C
Pristina
few clouds
12° _ 10°
89%
1 km/h
Sun
33 °C
Mon
32 °C
Tue
31 °C
Wed
31 °C

Lajmet e Fundit

Aeroplani përplaset mbi shtëpinë e një familjeje në Gjermani, dy persona humbin jetën
20:47 -25/07/2026
Mbyt qenin me veturë në Ulqin dhe tenton të arratiset, arrestohet në kufi
20:26 -25/07/2026
Krasniqi: Pres që aktgjykimi ta dëshmojë pastërtinë e luftës së UÇK-së
20:01 -25/07/2026
Alarm për sulm iranian me raketë ndaj Trumpit, presidenti u largua nga Turqia me Air Force One-in e vjetër
19:38 -25/07/2026
Rënia e temperaturave, nesër pa kufizime për automjetet mbi 20 tonë
19:14 -25/07/2026
Follow US
IMPRESSUM:

KOSOVA NEWS - portal i pavarur informues e hulumtues

BOTUES: KosovaNews sh.p.k. (NUI: 811928152)

Drejtor e kryeredaktor: Jeton Sopa. Gazetare: Beslinda Rexhepi.

Tel: 038 600 149, WA: +38346100004.

E: [email protected]

ADRESA: Rr. Rexhep Mala nr. 18/1 ° Prishtinë, 10060 ° RKS

MARKETING & PARAPAGIM:

Banner ° Reklamë ° Video produkcion

Parapagim: Pako 1 ° Pako 2

Shkruani në: [email protected]

LLOGARITË BANKARE:

1. TEB Bank Sh.A. (Kosovë)

Acc: Kosovanews shpk

No: 2011 0002 1188 9556

2. PaySera (EU, SEPA)

Acc: Kosovanews

No: LT273500010018388807

SWIFT: EVIULT2VXXX

Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?