Prishtinë, 27 shtator 2025 – Vendimi i administratës së Donald Trump për të bllokuar fondet amerikane të destinuara për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTQ+ në Ballkanin Perëndimor ka shkaktuar reagime edhe në Kosovë.
CEL Kosova, një nga organizatat më aktive në vend për mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti, e ka pritur me “shqetësim dhe zhgënjim” këtë zhvillim, duke e cilësuar si një hap që rrezikon ekuilibrin demokratik në rajon.
Në përgjigjet e dhëna për KosovaNews, nga CEL Kosova theksohet se fondet amerikane kanë qenë “ndër burimet më të qëndrueshme dhe serioze” për shoqërinë civile në Kosovë, duke përfshirë edhe programet për fuqizimin e komuniteteve LGBTIQ+.
“Ky vendim krijon pasiguri të mëdha për të ardhmen e shumë programeve. Por problemi është më i thellë – ai tregon sa të brishta janë strukturat që mbështesin demokracinë dhe barazinë në Kosovë,” thuhet në reagim.
Organizata sqaron se nuk është drejtpërdrejt e varur nga fondet amerikane, por paralajmëron për efektet zinxhir që ky vendim mund të ketë në organizatat simotra dhe në vetë komunitetin.
“Çdo reduktim i mbështetjes ndërkombëtare dobëson ekosistemin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Kosovë,” shton CEL Kosova.
“Në Kosovë, të jesh LGBTQ+ shpesh do të thotë të jetosh me frikë”
Në vijim të përgjigjeve, CEL Kosova përshkruan realitetin e zymtë me të cilin përballen personat LGBTQ+ në vend.
“Homofobia është e pranishme në rrugë, në rrjetet sociale, brenda familjes e madje edhe në vendin e punës. Shumë të rinj e të reja rriten me ndjenjën se nuk kanë të ardhme këtu, sepse përballen me bullizëm, izolim dhe dhunë vetëm për shkak të asaj se kush janë.”
Sipas organizatës, diskriminimi në punësim dhe paragjykimet në shërbimet shëndetësore mbeten sfida të përditshme, ndërsa mungesa e besimit në institucione e bën edhe më të vështirë raportimin e dhunës apo kërkimin e drejtësisë.
“Goditje për demokracinë dhe sinjal i gabuar për rajonin”
CEL Kosova e konsideron vendimin e SHBA-së si një mesazh dekurajues për të gjitha komunitetet që luftojnë për barazi në Ballkan.
“Ky është një sinjal i rrezikshëm, sikur çështjet që lidhen me të drejtat e komuniteteve LGBTQ+ nuk janë më prioritet. Në një rajon ku barazia ende shihet si temë e debatueshme, kjo mund të ushqejë narrativat që e kundërshtojnë.”
Megjithatë, organizata mbetet optimiste se vendet evropiane dhe fondacionet ndërkombëtare do të mund të marrin një rol më aktiv për të kompensuar mungesën e fondeve amerikane.
“Të drejtat e njeriut nuk varen nga një fond i caktuar. Ato janë vlera universale që kërkojnë përkushtim të përhershëm,” thuhet në përmbyllje të reagimit.
CEL Kosova apelon që ky moment të shërbejë si shtysë për shoqërinë kosovare që të marrë më shumë përgjegjësi për barazinë, demokracinë dhe dinjitetin e çdo qytetari.
“ShBA-të kanë qenë katalizator i demokracisë në Kosovë. Ne besojmë se kjo e vërtetë do të mbetet e përhershme,” përfundon reagimi i organizatës.


