Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se ish-konsullata Austro-Hungareze në Prizren është restauruar plotësisht.
Sipas Çekut, ky objekt që i përket shekullit XIX përfaqëson një shembull të rëndësishëm të arkitekturës tradicionale të ndërtesave publike të asaj periudhe. Me restaurimin e tij, janë ruajtur vlerat autentike historike dhe arkitekturore, duke e shndërruar ndërtesën në një pasqyrë të trashëgimisë së pasur kulturore të Kosovës.
Ai theksoi se investimet në mbrojtjen dhe restaurimin e aseteve të trashëgimisë kulturore janë thelbësore për ruajtjen e identitetit historik dhe për promovimin e vlerave kulturore për brezat e ardhshëm.


