Sonte nis edicioni i dytë i Festivalit të Këngës në RTK. Mbështetëse e projektit të televizionit publik që nga ditët e para ka qenë ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe kreu i këtij institucioni Hajrulla Çeku.
Ai ka thënë se ideja e festivalit është pritur me entuziazëm edhe për shkak të një të kaluare të suksesshme të Akordeve të Kosovës dhe se asnjë herë nuk kishte dilema për mbështetjen e tij.
“Kur RTK-ja na është ofruar fillimisht me idenë e Festivalit të Këngës, njëlloj rikthimi të Akordeve të Kosovës, është pritur me një entuziazëm dhe energji të re, për atë që mund t’i sjellë skenës në përgjithësi, por edhe përpjekjeve tona për të ndërkombëtarizuar çështjen e Festivalit të Këngës në raport me Eurovisionin. Natyrisht se nuk kishte shumë dilema se duhej të përkrahej kjo nismë shumë e mirë të RTK-së. Kemi diskutuar thellësisht mbi detajet e bashkëpunimit dhe në fund e kemi nënshkruar një marrëveshje, ku e kemi kornizuar si një bashkëpunim afatgjatë”, ka theksuar ministri Çeku, në emisionin special “RTK Fest”.
Ai ka thënë se mbështetja financiare për këtë festival është shumë e rëndësishme dhe ajo jepet nga fondet e ministrisë. Megjithatë, lajm shumë i mirë sipas ministrit është edhe fakti që festivali ka siguruar mbështetje edhe përmes Ligjit të Sponsorizimit.
“Në të njëjtën kohë me instrumentistët e Filharmonisë, MKRS kontribuon në disa nivele në organizimin e Festivalit të Këngës, që besojmë që ka qenë një ndër freskitë më të mëdha të viteve të fundit jo vetëm muzikore por në përgjithësi kulturore të vendit tonë”, ka shtuar Çeku.
Ai ka thënë se trashëgimia është pjesë që i takon MKRS-së dhe Akordet e Kosovës përfaqësojnë trashëgimin kulturore muzikore të vendit tonë. Sipas ministrit, në momentin që zgjidhen disa çështje teknike ligjore, festivalit do t’i rikthehet emri i vjetër “Akordet e Kosovës”.
“Prandaj, me një projekt të tillë, ne, ishim duke i përmbushur dy objektiva madhore të ministrisë, kulturën dhe artin, por edhe kultivimin e trashëgimisë muzikore në këtë rast. Ka qenë çështje teknike ligjore ripërtëritja e emrit Akordet e Kosovës, por e di se ka një angazhim që kur të zgjidhet ajo çështje festivalit t’i kthehet emri i Akordeve të Kosovës, e që do të ishte edhe një dëshmi e qartë se po flasim për një traditë muzikore shumë më afatgjate se sa një projekt që ka filluar në vitin e kaluar”, ka nënvizuar Çeku.
Ai e ka vlerësuar faktin që në krye të këtij festivali është një profesionist dhe personalitet i dëshmuar si Adi Krasta. “Ai e ka dëshmuar jo vetëm me festivalin, por edhe me shumë veprime tjera. Fakti që festivali e ka në krye Adi Krastën, nuk e ka mundësuar vetëm realizimin e festivalit, por edhe e ka bërë diferencën. E ka krijuar një momentum të jashtëzakonshëm për skenën tonë muzikore dhe mbi të gjitha parimin mbi të cilin punon ai, ku i ka ftuar të gjithë profesionistët rreth vetes. Jam shumë i bindur se edhe sivjet do të kemi një edicion të jashtëzakonshëm”, ka theksuar ministri.
Sipas Çekut, Festivali i Këngës në RTK është një nga platformat më të mira për artistët e rinj dhe një konkurrence e shëndoshë mes krijuesve dhe vlerave të krijimtarisë muzikore, por edhe mundësi që në të ardhmen ato të promovohen ndërkombëtarisht.
“Këtu është edhe beteja jonë e përbashkët drejt Eurovizionit. Në momentin që do të hapet edhe ai shteg për fituesin apo fituesin do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme edhe për promovim ndërkombëtar. Pra, një projekt që prek shumë dimensione dhe krijon shumë efekte pozitive, e i cili jam shumë i bindur se jo vetëm me këtë qeveri e me këtë ministri, por edhe në të ardhmen do të vazhdojë të ketë mbështetje nga institucionet e shtetit”, ka përfunduar Çeku.