Caktimi i datës së zgjedhjeve lokale, presidentja ende nuk i ka ftuar partitë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk i ka ftuar ende partitë politike për konsultime në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve lokale, përkundër nisjes së afatit ligjor për një gjë të tillë.
Në Zyrën e Presidencës nuk kanë kthyer përgjigje për KosovaPress, se kur do të shpallen zgjedhjet, mirëpo, njohësit e proceseve zgjedhore “vonesën” e ndërlidhin me krizën politike dhe ngërçin për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Madje, theksojnë që partitë politike të jenë të interesuara që, në rast se s’dilet nga kriza politike, atëherë zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme të mbahen njëkohësisht me ato lokale, për të evituar rrezikun e mospjesëmarrjes së qytetarëve.
Njohësi i proceseve zgjedhore, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, thotë për KosovaPress, se në bazë të legjislacionit në fuqi, zgjedhjet lokale mund të mbahen prej mesit të muajit gusht dhe më së largu deri në nëntor.
Sipas tij, presidentja Osmani tanimë ka diskrecion që të shpallë datën e zgjedhjeve lokale, mirëpo, ai shton se presidentja fillimisht duhet të ftojë për konsultime partitë politike.
Përkundër që ka ende hapësirë për një gjë të tillë, ai thekson se e para e vendit nuk i ka ftuar partitë për shkak të krizës politike në vend.
“Tashmë jemi zyrtarisht brenda afatit kur presidentja ka diskrecion që të shpallë datën e zgjedhjeve lokale pas konsultimeve me partitë. Zgjedhjet lokale do të duheshin të mbaheshin prej fundit të muajit gusht dhe më së largu deri në nëntor. Praktika deri tani tregon se zgjedhjet janë mbajtur herë në shtator dhe herë në tetor, me balotazhin që ka qenë në muajin nëntor. Unë besoj se ndër arsyet që presidentja ende nuk ka thirrur takimin konsultativ, ndonëse e njëjta ka ende hapësirë për të bërë një gjë të tillë, lidhet me situatën politike sa i përket konstituimit të Kuvendit. Është një lloj sekreti publik që partitë politike duan që, nëse do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, ato të mbahen në të njëjtën ditë me ato lokale. Kështu evitohet rreziku i mospjesëmarrjes së qytetarëve për shkak të lodhjes apo mbase empatisë që mund të lindë për shkak të situatës së krijuar politike”, thekson ai.
Në anën tjetër, profesori universitar i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se nëse partitë politike nuk gjejnë një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit, atëherë shumë lehtë mund të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në të njëjtën datë me zgjedhjet lokale.
“Procesi i zgjedhjeve lokale është një proces i veçantë që parashihet me Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet lokale. Ai ka afate kushtetuese dhe ligjore të tjera. Presidentja duhet të kryejë punën e vet dhe po ashtu KQZ-ja. Por nëse do të ketë marrëveshje politike në këtë ngërç politik që subjektet politike të shkojnë në zgjedhje, atëherë mund të mbahen në të njëjtën kohë zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare”, shton ai.
Edhe tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ende nuk janë themeluar institucionet e reja në vend.
Një muaj pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, deputetët e zgjedhur dhjetë herë radhazi kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin.
Ngërçi është te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, ku Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhje, ka të drejtën ekskluzive që të nominojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014. Mirëpo, deputetja Albulena Haxhiu, e propozuar nga LVV, ka dështuar gjashtë herë radhazi të marrë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post.
Kjo situatë, sipas hulumtuesit në KDI, Eugen Cakolli, është dëshmi që vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, mirëpo sipas tij, asnjë projeksion nuk paraqet rezultat të ndryshëm nga ai aktuali.
“Nëse shihet në bazë të barrikadimit politik që kanë partitë, gjasat janë që të ketë zgjedhje sërish për Kuvendin e Kosovës, por në anën tjetër asnjë projeksion nuk paraqet rezultat të kundërt apo esencialisht që do të favorizonte LVV-në apo partitë të tjera në rast të mbajtjes së zgjedhjeve”, shton ai.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, data e zgjedhjeve lokale duhet të caktohet jo më herët se 60 ditë para përfundimit të mandatit, dhe jo më vonë se 30 ditë pas përfundimit të mandatit të organeve të zgjedhura.
Meqë zgjedhjet e fundit lokale janë mbajtur më 17 tetor 2021, mandati i tyre 4-vjeçar përfundon më tetor 2025.
Prandaj, Presidentja e Kosovës duhet t’i shpallë zgjedhjet në mënyrë që ato të mbahen: jo më herët se 17 gusht 2025 (60 ditë para përfundimit të mandatit) dhe jo më vonë se 16 nëntor 2025 (30 ditë pas përfundimit të mandatit). /kp/