Me tone të larta të zërit është shqyrtuar në parim projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin e ardhshëm në Komisionin Parlamentar për Buxhet.
Deputetë të partive opozitare kanë ngritur kritika ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati për ndarjet buxhetore.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala derisa kritikoi ministrin Murati për ndarjen e një miliard eurove për subvencione, ngriti dyshime se ku mund të destinohen të njëjtat, raporton RTKlive.
“Në buxhet ke 26 për qind investime kapitale ndërsa 32 për qind subvencione. Unë se kuptoj qysh ka mundësi një shtet të ndajë një miliard euro subvencione në një situatë paqeje, ato dihet ku shkojnë. Që në start një miliard euro janë në dorën tuaj dhe nivelit politik për të bërë çfarë të doni. Ndërsa janë më pak se 200 milionë euro investime kapitale që do të përmirësonin mirëqenien e qytetarëve. Çfarë doni me bo me një miliard euro vitin e ardhëm, doni me i ble zgjedhjet. Është marre”, tha ai.
Ndërkaq deputeti Shala u përplas verbalisht me ministrin Murati, në lidhje me investimet në komunën e Mitrovicës.
Deputeti Shala kritikoi ministrin që nuk janë ndarë mjete mjaftueshëm për këtë qytet, derisa ministri Murati i quajti dezinformata deklarimet e deputetit.
Kritika pati edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti. “Në një situatë normale ne si deputet të opozitës do të duhej të prezantonim projekte shtesë për të bërë një shpërndarje më të barabartë. Por ky nuk është rasti. Ka probleme fondamentale në strukturë të buxhetit. Me këtë buxhet nuk mund të ndërtohen as për së afërmi çerdhet e premtuara. Për banim social, nuk figuron kjo fare. Sigurimet shëndetësore, nuk shihen as tek pjesa përshkruese. Për Fondin Sovran i keni paraparë 30 milionë euro”, tha ai.


