Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Britani të Madhe, ku një grua humbi dy duart dhe dy këmbët pasi zhvilloi sepsë, që dyshohet se u shkaktua nga lëpirja e një plage të vogël në dorën e saj nga qeni, shkruan BBC, transmeton KosovaNews
Manjit Sangha, 56 vjeç, në muajin korrik të vitit të kaluar u ndje papritur keq në qytetin e Birminghamit dhe humbi ndjenjat. Ajo u dërgua me urgjencë në repartin e kujdesit intensiv, ku gjatë trajtimit zemra i ndaloi gjashtë herë.

Mjekët sqaruan se gruaja u prek nga sepsa – një gjendje e rrezikshme që ndodh kur sistemi imunitar, në përpjekje për të luftuar një infeksion, reagon në mënyrë të pakontrolluar dhe dëmton vetë organet dhe indet e trupit.
Si pasojë e komplikimeve të rënda, asaj iu amputuan të dyja duart dhe të dyja këmbët nën gju. Po ashtu, iu hoq edhe shpretka.

Sipas mjekëve, infeksioni që çoi në sepsë mund të jetë shkaktuar nga lëpirja e një prerjeje të vogël në dorën e saj nga qeni.

E cilësuar si një mrekulli mbijetese, Sangha kaloi 32 javë në spital duke luftuar për jetën, para se të lirohej për trajtim në shtëpi.
Pas daljes nga spitali, ajo u shpreh duke thënë: “Kam qëndruar mjaftueshëm ulur, tani është koha të ec.”



