Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj.
Gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në dhjetë qytetet e prekura nga tërmetet: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakër dhe Kilisi.
Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme vjen në kohën kur në Turqi dhe Siri po vazhdojnë përpjekjet për të shpëtuar personat që besohet se kanë mbetur nën rrënojat e mijëra ndërtesave të shkatërruara nga tërmetet e fuqishme që goditën këto dy shtete.
Mbi 5.000 persona raportohet se kanë vdekur, pasi një tërmet prej 7.8 ballësh goditi në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit. Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.
Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.
Agjencia për Fatkeqësi në Turqi tha se numri i viktimave nga tërmetet është rritur në 3.419. Orhan Tatar, zyrtar në Autoritetin për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave tha se 20.426 persona të tjerë janë plagosur dhe 5.775 ndërtesa kanë kolapsuar.
Në Siri, në zonat e kontrolluara nga Qeveria, janë raportuar 812 persona të vdekur, tha agjencia shtetërore e lajmeve SANA.
Kjo agjenci tha se 1.449 persona janë plagosur në provincat Alepo, Lakatia, Hama, Idlib dhe Tartus.
Në pjesën veriperëndimore të shtetit, që kontrollohet nga rebelët, më herët u raportua se janë vrarë 450 persona dhe qindra të plagosur.
Qeveria turke tha se mbi 13 milionë persona brenda vendit janë prekur nga tërmetet e fuqishme.
“Ky tërmet ka prekur drejtpërdrejtë 13.5 milionë qytetarë tanë”, tha ministri i Urbanizmit, Murat Kurum.
Disa nga rrugët ende nuk janë të qasshme dhe ekipet po punojnë që ato të hapen për qarkullim. Ai tha se disa rajone kanë mbetur pa ujë.
“Dhimbja është e papërshkrueshme”, tha ai, duke shtuar se çdo orë është e çmuar.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për fëmijë (UNICEF) shprehu frikën se nga tërmetet në Turqi dhe Siri mund të jenë vrarë mijëra fëmijë.
“Tërmetet që goditën jugun e Turqisë dhe veriun e Sirisë mëngjesin e ditës së djeshme, mund të kenë vrarë mijëra fëmijë”, tha zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder.
Ndërkaq, shtetet në mbarë botën kanë thënë se do të dërgojnë ekipe për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit, por deri më tani vetëm pak ekipe kanë arritur në vendngjarje.
Operacionet e kërkim-shpëtimit janë penguar nga temperaturat e ftohta dhe nga afër 200 dridhje pasuese të tokës, që kanë bërë të rrezikshme kërkimet në strukturat e paqëndrueshme.
Turqisë do t’i dalë në ndihmë edhe një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili dje është nisur për atje.