Ad image

Komisioni hetimor mbi sulmet në Kongres: Trump nxiti tentativën për grusht shteti

Kosova News
Kosova News 10:26 -10/06/2022

Në seancën e tij të parë publike, komisioni hetimor që po heton sulmin ndaj Kongresit Amerikan nga ana e mbështetësve të Donald Trump, pas pretendimeve të ish presidentit amerikan për vjedhjen e zgjedhjeve, u kujtoi amerikanëve atë që ndodhi më gjashtë janar të vitit 2021.

Komisioni hetimor bëri të ditur të enjten se Donald Trump dhe pretendimet e tij për manipulim të zgjedhjeve ishin në qendër të asaj që përbënte një “tentativë për grusht shteti” për të mbetur në pushtet.

Kjo ishte e para nga gjashtë seancat e planifikuara që synojnë të tregojnë se ish-presidenti republikan komplotoi për të mbajtur në mënyrë të paligjshme pushtetin.

Në një prezantim të gjetjeve nga një hetim njëvjeçar, komiteti i posaçëm u përpoq të bindte një vend të ndarë, për ekzistencën e një komploti të rrënjosur thellë dhe në vazhdim — të orkestruar nga ish presidenti — për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 të fituara nga Joe Biden.

“Presidenti Trump bëri thirrje, mblodhi turmën dhe nxiti këtë sulm,” tha nënkryetarja republikane e panelit, Liz Cheney, në fjalën e saj të hapjes.

Ndërkohë, kryetari demokrat i komisionit, Bennie Thompson akuzoi Trumpin se ishte “në qendër të këtij komploti”.

“6 janari ishte kulmi i një tentative për grusht shteti — një përpjekje e paprecedentë, ashtu siç e tha dhe një nga protestuesit menjëherë pas 6 janarit — për të rrëzuar qeverinë. Dhuna nuk ishte një rastësi”, tha ai.

Personat që sulmuan Kongresin Amerikan vepruan “me inkurajimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara”, për të marshuar drejt Kongres dhe për të bllokuar kalimin zyrtar të pushtetit nga ligjvënësit te Biden, shtoi ai.

Prezantimi i përpiluar nga komisioni hetimor përdori dëshminë e dhënë pas dyerve të mbyllura nga disa prej këshilltarëve më të vjetër dhe më të besuar të Trump, duke përfshirë edhe ish-prokurorin e përgjithshëm Bill Barr dhe këshilltarin e lartë të Trump, njëkohësisht edhe dhëndrin e tij, Jared Kushner.

‘Gjueti shtrigash’

Komisioni hetimor synon të provojë se dhuna ishte pjesë e një nxitjeje më të gjerë — dhe të vazhdueshme — nga Trump dhe rrethi i tij i brendshëm për t’u kapur në mënyrë të paligjshme ose për të rifituar pushtetin, duke cënuar Kushtetutën Amerikane dhe më shumë se dy shekuj tranzicionesh paqësore nga një administratë në tjetrën.

Seanca e së enjtes dhe pesë seancat pasuese gjatë javëve të ardhshme do të fokusohen në rolin e Trump në përpjekjen e shumëanshme për ta kthyer atë në Zyrën Ovale duke u hequr të drejtën e miliona votuesve.

Trump e ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur hetimin duke e quajtur një “gjueti shtrigash” të pabazë – por seancat dëgjimore ishin padyshim në mendjen e tij të enjten, teksa postoi vazhdimisht në platformën e tij të mediave sociale, duke mbrojtur kryengritjen si “lëvizjen më të madhe në historinë e vendit për ta bërë Amerikën përsëri të madhe.”

Komiteti kërkon të provojë se Trump hodhi bazat për kryengritjen e gjashtë janarit, përmes gënjeshtrave për mashtrime në një proces zgjedhor të përshkruar nga vetë administrata e tij si ndër më të sigurtat ndonjëherë.

Një pjesë e administrates së tij akuzohet për përfshirje në disa skema potencialisht të paligjshme për të ndihmuar përpjekjet, duke përfshirë një komplot për të kapur makineritë e votimit dhe një tjetër për të emëruar “zgjedhës alternativë” të rremë nga “shtetet e lëkundura” që do të injoronin vullnetin e votuesve të tyre dhe do t’i dorëzonin fitoren Trump.

– ‘Rrëshqitje në gjakun e njerëzve’ –

Seanca dëgjimore e së enjtes shfaqi dëshmi të drejtpërdrejta nga dy persona që ndërvepruan më 6 janar me anëtarët e organizatës neofashiste “Proud Boys” dhe në ditët që çuan në dhunë.

Regjisori britanik i filmave dokumentarë, fitues i çmimit Emmy, Nick Quested dëshmoi për përvojën e tij në hijen e anëtarëve të “Proud Boys” në ditët para 6 janarit dhe ndërveprimet e tij me ta në atë ditë.

Quested kujtoi se ishte i tronditur nga “zemërimi” që pa midis anëtarëve të grupit dhe e përshkroi turmën më të madhe të tubimit si transformim “nga protestues në rebelë dhe në kryengritës”.

“Isha i befasuar nga madhësia e grupit, zemërimi dhe sharjet,” tha ai.

Oficerja e policisë, Caroline Edwards, e cila ishte e pranishme në thyerjen e barrikadës së parë, përshkroi se kishte pësuar lëndime në kokë në përleshjet me anëtarët e “Proud Boys”, udhëheqësi i të cilëve është akuzuar për komplot.

“Ajo që pashë ishte thjesht një skenë lufte. Ishte diçka që nuk e kisha parë jashtë filmave,” tha ajo.

“Nuk mund t’u besoja syve. Kishte oficerë në tokë — po i rridhte gjak, po dilnin… Pashë miq me gjak në fytyrat e tyre. Po rrëshqisja në gjakun e njerëzve.”

Dëshmia e saj mbylli seancën e parë publike që zgjati gati dy orë. Dhe e cilësuar nga zëdhënësi i Donald Trump, Taylor Budowich si një “cirk” i paaftë për të tërhequr vëmendjen e publikut./REL/

Shpërndaje