Gjermania ka lëshuar një urdhër-arrest për guvernatorin e Bankës Qendrore të Libanit, Riad Salameh, për shkak të akuzave për korrupsion, përfshirë falsifikim, pastrim parash dhe përvetësim, raportoi të martën Reuters.
Sipas burimeve të gazetës, Salameh ka mohuar çdo akuzë.
72-vjeçari po hetohet në Liban dhe të paktën pesë vende evropiane për dyshimin se ka marrë qindra milionë dollarë nga banka qendrore e Libanit në dëm të shtetit libanez dhe për pastrimin e fondeve jashtë vendit.
Ky është urdhër-arrest i dytë i huaj i raportuar se lëshohet për Salamehin brenda një jave. Franca lëshoi një urdhër-arrest për të më 16 maj pasi ai nuk u paraqit në një seancë gjyqësore në Paris.
Me kërkesë të Francës, Interpoli lëshoi një njoftim për Salamehin, duke përmendur akuzat për pastrim parash, mashtrim dhe pjesëmarrje në një shoqatë kriminale me qëllim kryerjen e veprave të dënueshme me 10 vjet burgim.
Salamehu ka thënë se do të kundërshtonte urdhrin e arrestit francez.
Ai ishte akuzuar më parë për korrupsion në dy raste të veçanta në Liban, të cilat i ka mohuar duke thënë se janë me motive politike.
Salameh, i cili ka qenë guvernator i bankës qendrore për 30 vjet, po përballet me thirrje në rritje për të dhënë dorëheqjen përpara mandatit të tij të fundit që përfundon në korrik, megjithëse kabineti i përkohshëm i Libanit nuk mori asnjë vendim për këtë çështje gjatë një takimi të hënën që diskutoi rastin e tij.