Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është takuar të enjten në Tel Aviv me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog. Ai ka thënë se armëpushimi Izrael-Hamas po “prodhon rezultate” dhe se do të diskutojë vazhdimësinë e marrëveshjes për armëpushim me Qeverinë izraelite, raporton agjencia “AP”.
Blinken pritet të bëjë presion për zgjatje të mëtejshme të armëpushimit dhe lirimin e më shumë pengjeve.
Më herët të enjten, Izraeli dhe Hamasi ranë dakord të zgjasin armëpushimin e tyre me një ditë tjetër, vetëm pak minuta përpara se të skadonte afati.
Katari, i cili ka luajtur një rol kyç në ndërmjetësimin me Hamasin, ka njoftuar se zgjatja e armëpushimit po bëhet si pasojë e plotësimit të të njëjtave kushte si në të kaluarën, ku Hamasi liron 10 pengje izraelite në ditë në këmbim të lirimit të 30 të burgosurve palestinezë nga Izraeli.
Blinken dhe Herzog kujtuan gjithashtu ish-sekretarin e shtetit të SHBA-së, Henry Kissinger, i cili vdiq të mërkurën në moshën 100-vjeçare.


