Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka mbajtur një fjalim në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po organizohet për herë të parë nga Presidenca e Kosovës dhe i cili po mbahet në Prishtinë.
Blinken me anë të një video-adresimi ka thënë se lufta në Kosovë ishte një përballje mes vrasjeve barbare dhe forcës së nevojshme, ndërmjet mostolerancës së dhunshme dhe respektimit të të drejtave të njeriut,
Ai ka thënë se lufta është fituar sepse Aleanca ishte e fortë dhe e bashkuar.
“Lufta në Kosovë ishte një përballje mes vrasjeve barbare dhe forcës së nevojshme, ndërmjet mostolerancës së dhunshme dhe respektimit të të drejtave të njeriut, mes tiranisë dhe demokracisë. Ne fituam sepse aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë. Më e rëndësishmja, ne ia dolëm sepse kauza jonë ishte e drejtë dhe për shkak të popullit të Kosovës”, ka thënë Blinken duke cituar fjalët e ish-sekretares amerikane, Madeleine Albright.
Ai ka rikujtuar se sa herë që ish-sekretarja Albright është pyetur për krenarinë e saj gjatë shërbimit, ajo gjithnjë thoshte Kosova.
Blinken gjithashtu ka falënderuar Osmanin për organizimin e këtij forumi.