Pas disa telasheve e mosmarrëveshje që patën kohën e fundit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dje edhe zyrtarisht shkëputën koalicionin qeverisës në kryeqytet.
Prishja e koalicionit u zyrtarizua vetëm pak minuta pasi që asamblistët me shumicë votash votuan për anulimin e vendimit për shkëmbimin e pronave afër Badocit me prona komunale te vendi i quajtur Prishtina e Re, e ku lejohen ndërtimet e larta.
Mirëpo koalicionit qeverisës LDK-PDK është një person që para pak ditësh ia pa hairin.
Nuk i janë dashur më shumë se dy muaj që Komuna e Prishtinës, respektivisht Drejtoria e Urbanizmit të kryej procedurën e rishqyrtimit dhe të merr vendim e ricaktojë kushtet ndërtimore, duke i hapur kështu rrugë ndërtimit të kompleksit me banesa afariste-komerciale nga oligarku Blerim Devolli.
Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës më 22 nëntor 2023 ia pati anuluar lejen ndërtimore oligarkut Blerim Devolli për ndërtimin e një kompleksi me banesa afariste-komerciale në hapësirën te ish- Fabrika e Amortizatorëve në Prishtinë.
Për këtë siç pati raportuar KosovaNews, ministria pati gjetur se me këtë rast është vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe se Komuna e Prishtinës, konkretisht Drejtoria e Urbanizmit, nuk ka vendosur në mënyrë të drejtë për këtë çështje.
LEXO më shumë:
Ndërkohë që Komuna e Prishtinës, e cila deri tani drejtohej nga koalicioni qeveritar i LDK-së me PDK-në pak ditë më parë ka nxjerr një vendim tjetër, duke i hapur rrugë nisjes së ndërtimeve nga Blerim Devolli.
Në vendimin që mban datën 22 janar 2024, Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prishtinës bën të ditur se iu janë ricaktuar kushtet ndërtimore kërkuesve.
“Lokacioni, për të cilën caktohen kushtet ndërtimore, përfshihet në kuadër të Planit Zhvillimor Urban – PZHU, miratuar me vendimin e KK Prishtinë 01 nr. 031 – 156871 dt. 27.08.2013, ku kjo zonë është e destinuar si “Zonë ekonomike” dhe pjesërisht rrugë e planifikuar… Gjendja ekzistuese e lokacionit sipas gjendjes kadastrale është parcela-tokë për ndërtim në sipërfaqe prej 58 mijë e 707 metra katrorë”, thuhet mes tjerash në vendimin e Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës.
Kështu përveç bizneseve tjera të shumta, Blerim Devolli tani pritet të fillojë me ndërtime edhe në Prishtinë.

Devollët kanë numër të madh biznesesh dhe me disa prej tyre janë në kontekste me institucionet e vendit dhe me paditë e bëra nëpër gjykata vendore e arbitrazhe kanë marrë miliona e miliona euro nga institucionet- ndërmarrjet, duke dëmtuar kështu shtetin e Kosovës.