Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se Qeveria nuk ka pranuar të shantazhohet kur i është kërkuar nga vendete anëtare të bëjë koncesione për heqjen e masave. Ai ka thënë se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për largimin e masave. Në Komisionin për Integrime është miratuar Programi Kombëtar për Integrim Evropian.
Raportimi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në Komisionin për Integrim Evropian, për Programin Kombëtar për Integrim Evropian, ka nxitur përplasje mes deputetëve të pushtetit dhe atyre të opozitës.
Përplasja ndodhi pasi deputeti i Vetëvendosjes, Agon Batusha, i tha deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, se ajo nuk merr vesh nga diplomacia.
“Shyqyr që veriu i Kosovës është nën kontroll dhe nuk shkojnë do vetë me pi raki në villën e Radoiçiqit”, tha Batusha.
“Xemlak, kujdes gjuhën, o Xemlak. Mos shpif, mos rrej’’, iu përgjigj atij Kadrijaj.
E zëvendëskryeministri Bislimi ka deklaruar se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për largimin e masave, megjithëse ka shtuar se ka pasur kërkesa nga vendet anëtare që kanë kërkuar koncesione shtesë, por, sipas tij, Qeveria s’ka pranuar të shantazhohet.
“Ka pasur në vazhdimësi jo nga Brukseli direkt, por nga vende anëtare edhe kërkesa që kanë shkuar përtej, arsye janë masat, janë kërkuar koncesione shtesë, por natyrisht Kosova nuk ka pranuar të shantazhet në këtë drejtim”, theksoi Bislimi.
Zëvendëskryeministri ka thënë se ekzekutivi në mes dy alternativave ka ndërmarrë veprimin e duhur për shtrirje të sovranitetit në veri të Kosovës.
“Në situatën që kemi qenë atëherë është dashtë me marrë vendim. Ose me hjek dorë nga sovraniteti në Veri ose me pagu nji çmim për insistimin tonë që të vendosim sovranitetin në veri. Ne mendojmë se ja ka vlejt sepse situata në Veri është si nata me ditë për dallim para 2-3 viteve. Merre psh metodat e pageses, energjinë elektrike, rrugët ilegale, kultivimin e kanabisit, zgjedhjet e Serbisë targat, është si me ndërtu një shtet nga fillimi”, tha Bislimi.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se vënia e masave dhe sanksioneve nga BE-ja kanë ndikuar që investitorët potencialë të mendojnë dy herë para se Kosovën ta shohin si vend ku mund të investojnë në të ardhmen.
‘’Dami i Kosovës që është ba, po flas për 300 milion euro vlerë të BE që kanë qenë të destinuara për projekte kapitale të cilat natyrisht që ndikimi i tyre kishte me qenë në rritjen e mirëqenies qytetarëve të Kosovës, në investimet kapitale të cilat kanë qenë shumë të ulëta këtë vit. Po ashtu një pengesë për investitorët potencial të cilët duan ta shohin Kosovën si vend ku mund të investojnë”, theksoi ajo.
Në fund kryetarja e Komisionit, Rrezarta Krasniqi, hodhi në votim Programin Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028, i cili u miratua nga deputetët me 8 vota pro. (Riad Latifi)