Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se ndërmjetësi i ri i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, ka vizion të qartë si të ecet përpara, pas takimit trilateral të martën në Bruksel me të dhe homologun nga Serbia, Petar Petkoviq. Por ka shtuar se është ende herët të ketë rezultate konkrete.
Në intervistë pas takimit, Bislimi ka treguar për të gjitha temat që janë diskutuar në takimin trilateral dhe më pas atë bilateral me Sorensenin.
“Kemi pasur seri takimesh. Kemi filluar me një takim trilateral, i cili ishte i pari i këtij formati me Sorensenin. Ideja ka qenë që të kemi tri tema të ndryshme në takimet e sotme. Në fillim, jemi dakorduar për principet se si do të udhëhiqen takime trilaterale me Sorensenin. Jemi dakorduar me të gjitha propozimet e Sorensenit”, ka treguar ai.
Sipas tij, Sorenseni po tregon se po investon shumë që dialogu të ecë përpara.
“Në rezultate konkrete, është ende herët. Sorenseni e ka pak a shume një vizion të qartë se si të ecet në takimet e radhës. Javën tjetër do të dërgojë dy nga më të afërtit e tij në Kosovë e Serbi për të marrë informata shtesë dhe më pas në fillim të korrikut do të vendosë për hapin e radhës. Sorenseni do edhe një takim në korrik. Kjo tregon për mua që ai ka investim të madh në proces, ka dëshirë të shohë rezultat, por deri tash dihet se Serbia ka sabotuar procesin”, ka thënë ai.
Kryenegociatori ka thënë se në pjesën kryesore të takimit trilateral kanë diskutuar se si të ecet përpara për zbatimin e Marrëveshjes Bazike.
“…kemi treguar idetë tona se si mund të sigurohemi të zbatohet Marrëveshja Bazike. Nuk ka pas dakordim të plotë mes palëve. Na është thënë që në takimin e radhës t’i sjellim idetë në mënyrë të shkruar”, ka thënë ai.
Bislimi tutje tregoi edhe çka ka diskutuar në takim vetëm me Sorensenin.
“Personat e pagjetur për ne ka qenë tema më e rëndësishme, ku kemi treguar çfarë ka bërë Kosova këto muaj e çfarë nuk ka bërë Serbia. Kemi diskutuar edhe për transferet financiare te qytetarët e Luginës së Preshevës, dhe kemi garantuar se s’bëjmë shkelje. Diskutuam edhe për funksionalizimin e interkonjeksionit me Serbinë që po e rrit koston e transmisionit për energjinë jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. Gjithashtu folëm edhe për menaxhimin e integruar të kufirit që ka ngecur faji i Serbisë dhe fushatën sistematike të dezinformatave nga ana e Serbisë”, ka treguar Bislimi.