Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka konfirmuar të mërkurën se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila vendos që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme, do të hyjë në fuqi të enjten më 1 shkurt, ashtu siç parashihej.
Kjo vjen pavarësisht trysnisë ndërkombëtare që Kosova ta shtyjë zbatimin e një vendimi të tillë, i cili e ndalon përdorimin e dinarit serb në vend.
Bislimi tha se “do të sigurohet tranzicioni i lehtësuar. Implementimi i rregullores nuk nënkupton ndalim të transfere nga Serbia dhe nuk nënkupton dënime eventuale financiare për mbajtjen e valutës se një shteti tjetër”.
Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, vazhdon ta përdorë dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe rrogat për institucionet paralele që ka në Kosovë.
Bislimi nguli këmbë se rregullorja e BQK-së nuk ka të bëjë me dinarin serb në veçanti.
“Nuk ka dyshim se qëllimi final i rregullores është edhe mbrojtja e konsumatorit dhe pagesave në Republikën e Kosovës. Synim i rregullores nuk ka qenë dhe as nuk është caktimi i monedhës zyrtare në qarkullim meqë kjo është caktuar shumë më herët, njësoj nuk ka qenë fokus i rregullores ndalimi i qarkullimit të ndonjë monedhe specifike”, theksoi ai.