Pas votimit të Këshillit të Ministrave të BE-së me 9 mars, Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) votoi ditën e sotme tekstin që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave, duke hapur kështu rrugën pёr votimin e fundit të mbetur nё seancën plenare tё Parlamentit Evropian.
Votimi në lexim të dytë i projekt-rekomandimit që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave nga ana e Bashkimit Evropian, ka nxitur edhe reagimin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
“Pas hapit të fundit në seancën e Parlamentit Evropian, i cili pritet të mbahet me 18 prill, do të mbetet vetëm nënshkrimi dhe publikimi në gazetën zyrtare të BE-së. Në përfundim të këtyre procedurave të fundit, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza, jo më larg se 1 janari i vitit 2024, duke i dhënë kështu fund një pritjeje të gjatë”, ka thënë Bislimi.


