Dy ekipe shqiptare Besa e Dobërdollit dhe Bashkimi i Kuamanovës do të luftojnë për një vend në Ligën e Parë – sfida zhvillohet në terren neutral më 25 maj në Kavadar, njofton Telegrafi.
Federata e Futbollit të Maqedonisë ka caktuar datën për ndeshjen e shumëpritur të barazhit që do të vendosë fatin e pjesëmarrjes në sezonin e ardhshëm të Ligës së Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut. Përballja do të zhvillohet mes dy ekipeve shqiptare: Besa dhe Bashkimi.
Takimi do të luhet të dielën, më 25 maj, në qytetin e Kavadarit, në fushë neutrale, me fillim nga ora 17:00 – në të njëjtën orë si ndeshjet përmbyllëse të kampionatit.
Skuadra e Besës siguroi pjesëmarrjen në barazh duke përfunduar në vendin e dhjetë në elitën e futbollit vendor, ndërsa Bashkimi vjen si ekipi i tretë më i mirë nga Liga e Dytë. Të dyja skuadrat janë të etura për sukses dhe për të qenë pjesë e elitës në sezonin e ardhshëm.