Avokati Besnik Berisha, përfaqësues ligjor i njërit prej pesë zyrtarëve policorë të përfshirë në rastin tragjik në Lipjan, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre. Ai theksoi se zyrtarët policorë nuk kanë kontribuar e as shkaktuar vdekjen e të ndjerit dhe se deri më tani nuk është përcaktuar shkaku i saktë i vdekjes.
“Sot është kërkuar masa e paraburgimit për pesë zyrtarët policorë për një rast i cili ka tronditur secilin, por për të cilin besoj fuqishëm se zyrtarët policorë as nuk i kanë kontribuar e as nuk e kanë shkaktuar. Policia sot po etikohet, sulmohet dhe padrejtësisht edhe po linçohet, përderisa mjekësia nuk ka folur ende dhe nuk dihet shkaku i vdekjes apo cilat substanca kanë qenë në organizmin e tanimë të ndjerit”, tha Berisha.
Lexo po ashtuAvokati Berisha: Herët të flitet për fajësi, policët kryen punën
Ai shprehu keqardhje për humbjen e jetës, por theksoi se policët kanë vepruar në përputhje me trajnimet dhe detyrat e tyre, për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
“Zyrtarët nuk meritojnë të jenë në pritje të një vendimi për drejtësi përderisa ata kontribuan për liri dhe vepruan ashtu siç janë trajnuar për përdorimin e forcës dhe për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të Lipjanit”, shtoi ai.
Sipas avokatit Berisha, kërkesa për paraburgim është bërë kryesisht për shkak të tensioneve mes familjarëve të viktimës dhe zyrtarëve policorë, gjë që ai e konsideron shqetësuese për sistemin e drejtësisë dhe sigurinë në vend.
“Kjo në fakt është një alarm për sigurinë në vendin tonë, sepse po i bie që kushdo që ka telashe me drejtësinë dhe kushdo që beson se policia i ka shkaktuar ndonjë të keqe, pa një vendim të gjykatës, duhet të dërgohet në paraburgim. Ky është një precedent i rrezikshëm”, përfundoi ai.
Ndërkohë, hetimet për rastin po vazhdojnë dhe pritet raporti zyrtar i autopsisë për të hedhur dritë mbi shkaqet e vdekjes.