Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka konfirmuar edhe njëherë se do të garojë për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka ftuar aktivistët e AAK-së që të marrin pjesë në konsultimet për listën e Asamblesë Komunale.
“Të nderuar aktivistë të Aleancës që keni kontribuuar ndër vite në Prishtinë, ju ftoj të gjithëve që së bashku t’i bëjmë konsultimet për listën për Asamblenë Komunale dhe për punët që na presin përpara”, ka shkruar Berisha.
Ai ka theksuar rëndësinë e angazhimit të secilit anëtar të partisë në organizimin e fushatës.
“Kërkoj angazhimin dhe aktivizimin e secilit prej jush, që këtë fushatë ta organizojmë ashtu siç na ka hije”, u shpreh Berisha.
Berisha ka thënë se kandidaturën e ka pranuar me bindje të plotë dhe beson se kësaj radhe do të kenë sukses në kryeqytet.
“Kandidaturën për kryetar e kam pranuar me bindjen e plotë se kësaj radhe do t’ia dalim bashkë për Prishtinën.”
Ai ka njoftuar gjithashtu se do të prijë edhe listës për Asamblenë Komunale dhe se konsultimet do të përfundojnë deri të premten.
“Jam kandidati juaj për kryetar dhe, po ashtu, do t’i prij edhe listës për Asamble Komunale. Konsultimet tona do t’i përfundojmë deri të premten. Sa i përket çështjes së koalicionit aktual, vendimin do ta marrë gjatë ditëve në vijim”, tha Berisha.
Në fund të postimit të tij, Berisha ka shprehur optimizëm dhe ka uruar sukses për strukturën e partisë, “Dalshim faqebardhë!”