Në 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në takimin me temë “Rifokusimi te paqja dhe prosperiteti në Ballkan”, ku theksoi rëndësinë historike të kësaj marrëveshjeje dhe rolin vendimtar të SHBA-së në sjelljen e paqes në rajon.
Presidenti kujtoi se tri dekada më parë, në këtë qytet, diplomacia triumfoi mbi shkatërrimin dhe Marrëveshja e Dejtonit i dha fund një lufte të egër në Ballkan, duke mbetur gur themeli i paqes, stabilitetit dhe shpresës.
“Ne shqiptarët e kuptojmë vlerën e paqes, sepse e kemi përjetuar vetë pasojën e konfliktit. Kosova sot qëndron si një shtet i ri, i pavarur, demokratik dhe funksional, një dëshmi e fuqishme e potencialit për transformim përmes sakrificës dhe dialogut”, tha presidenti.
Ai shprehu mbështetjen e Shqipërisë për Marrëveshjen e Dejtonit dhe theksoi nevojën për integrimin euroatlantik të Bosnjë e Hercegovinës, duke e lidhur këtë me përkushtimin më të gjerë të Shqipërisë për paqe, siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe fqinjësi të mirë.
Presidenti Begaj nënvizoi rëndësinë e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Pa udhëheqjen amerikane, Marrëveshja e Dejtonit dhe pavarësia e Kosovës nuk do të ishin të mundura. Rajoni nuk do të kishte arritur stabilitetin që ka sot”, u shpreh ai, duke vlerësuar angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-s, NATO-s dhe BE-së në Ballkan.
Në fjalën e tij, ai konfirmoi rritjen e buxhetit të mbrojtjes nga Shqipëria dhe përkushtimin ndaj forcimit të solidaritetit dhe kohezionit në NATO, si edhe rolin e rëndësishëm që ka Bashkimi Evropian për demokracinë dhe zhvillimin ekonomik në rajon, raporton Euronewsalbania.
Presidenti u ndal edhe te agresioni rus ndaj Ukrainës, duke theksuar se paqja dhe liria nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, por duhen mbrojtur në çdo kohë dhe në çdo cep të globit.
“Le të rikonfirmojmë përkushtimin tonë për Ballkanin Perëndimor, një rajon që nuk mbetet në hijen e së kaluarës, por qëndron në dritën e së ardhmes së vet”, përfundoi presidenti Begaj. Kreu i shtetit zhvilloi në Dayton takime të veçanta me liderët pjesëmarrës në Sesionin pranveror të asamblesë parlamentare të NATO-s, ndërsa gjatë punimeve të saj do të ketë dhe një fjalim.